Vendosni fjalën kyçe....

Policia thotë se gjeti planet për grusht shteti në telefonin e ndihmësit të Bolsonaros – Reuters


Policia Federale e Brazilit ka gjetur një dokument të hollësishëm të planifikimit të një ndërhyrjeje ushtarake për të bllokuar kalimin e pushtetit në zgjedhjet e vitit të kaluar, në telefonin e një ndihmësi të ish-presidentit Jair Bolsonaro, raportoi revista e lajmeve ‘Veja’.

Ishte e paqartë se kush e shkroi dokumentin dhe nëse ai arriti te Bolsonaro, një ish-kapiten i ushtrisë që humbi ngushtë zgjedhjet presidenciale të tetorit të shkuar ndaj rivalit të majtë Luiz Inacio Lula da Silva.

Një dokument i ngjashëm, më pak i hollësishëm u gjet në janar në shtëpinë e ish-ministrit të Drejtësisë Anderson Torres, pjesë e një numri në rritje provash që anëtarët e rrethit të ngushtë të Bolsonaro po kërkonin mënyra për të bllokuar Lulan nga marrja e detyrës, shkruan Reuters.

Duke cituar një raport të Policisë Federale, ‘Veja’ raportoi se plani u gjet në telefonin e nënkolonelit Mauro Cid, një nga asistentët personalë të Bolsonaros, i cili qëndroi si ndihmës pasi ai dha dorëheqjen. Cid aktualisht është nën arrest për falsifikimin e supozuar të kartës së vaksinimit të Bolsonaros për Covid-19.

Avokati i Cid, Bernardo Fenelon tha në një deklaratë se klienti i tij do mbrohej vetëm para hetuesve.

Sipas ‘Vejës’, dokumenti prej tre faqesh jepte një udhërrëfyes se si të bllokohej përurimi i Lula-s, duke përdorur ushtrinë si një ‘forcë moderatore’. Për të justifikuar këtë gjë, dokumenti pretendonte se organet e drejtësisë dhe media kishin kryer veprime antikushtetuese për të favorizuar Lula-n në zgjedhje.

Ushtria e Brazilit tha se çdo ‘opinion dhe koment personal nuk përfaqëson të menduarit e zinxhirit të komandës, as pozicionimin zyrtar të ushtrisë’.

“Çdo sjellje individuale që gjykohet si e parregullt do trajtohet në gjykatë,” shtoi deklarata.