Vendosni fjalën kyçe....

Rama thirrje Serbisë të lirojë 3 policët e Kosovës


Kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban u pyet për situatën në Kosovë.

Rama i bëri sërish thirrje autoriteteve serbe që të lirojnë 3 efektivët e Policisë së Kosovës, të rrëmbyer pak ditë më parë.

Rama nënvizoi disa herë faktin se bashkësia ndërkombëtare ia ka dhënë zgjidhjen për paqe me Serbinë, në tavolinë Kosovës, ndërsa shtoi se ndoshta nesër nuk do të jenë këto mundësi.

“Është imediate nevoja, urgjenca që të tre punonjësit e policisë së Kosovës të kthehen në shtëpi. Përtej pretendimeve që janë kapur këtu apo atje, për të cilat KFOR nuk do t’i japë konkluzion publik por do të depozitojë dosjen përkatëse në NATO, është e qartë se në të gjitha rastet tre efektivët nuk kanë bërë asnjë krim. Edhe nëse do të supozonim se kanë shkelur kufirin, ka vetëm një përgjigje; kthimin e tyre në shtëpi. Jemi të fokusuar që ta bëjmë këtë të mundur. Po përdorim të gjithë kanalet e mundshme që ta bëjmë sa më parë. Një zgjedhje të përbashkët? Është zgjidhja e ofruar nga bashkësia euroatlantike me pikat shumë të qarta dhe të palëvizshme. Me rëndësi është se paqja është në tryezë, dokumenti i marrëveshjes është në tryezë dhe mundësia historike po ashtu. Për të mbuluar një kapitull të gjatë dhe të dhimbshëm, për ta bërë Kosovën një vend të njohur ndërkombëtarisht nga të gjithë dhe nga Serbia. Është kaq e madhe kjo mundësi, sa të tjerat janë produkt i një devijimi të panevojshëm nga fokusi”-deklaroi Rama.