Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja e Kina ndodhen ‘në greminën’ e konfliktit – Kissinger


SHBA dhe Kina mund të rrëshqasin në një pëplasje të hapur ushtarake nëse vijojnë të ndjekin politikat e tyre të tanishme, paralajmëroi ish-Sekretari amerikan i Shtetit Henry Kissinger në një intervistë.

Duke folur për Bloomberg, ish-burri i shtetit, i cili konsiderohet gjerësisht se ka qenë arkitekti i detantit kino-amerikan në vitet 1970, u pyet nëse mendonte se Kina do përpiqej të rimerrte Tajvanin në të ardhmen e afërt.

Ndërsa Kissinger nuk dha një përgjigje përfundimtare, ai paralajmëroi se ‘në trajektoren e tanishme të marrëdhënieve, mendoj se një konflikt ushtarak është i mundshëm’.

Ai pretendoi se marrëdhëniet Kinë-SHBA kanë arritur një ‘situatë unike’ pasi të dy vendet e shohin njëri-tjetrin me dyshim të thellë.

“Kërcënimi më i madh për Kinën është Amerika, në perceptimin e saj, dhe e njëjta gjë është e vërtetë edhe këtu në SHBA”, tha Kissinger.

“Nga ana tjetër, luftërat janë bërë ose të pafitueshme…ose të fitueshme vetëm me kosto tejet të larta”, shtoi ish-diplomati, duke paralajmëruar se të dyja vendet duhet të tërhiqen tani pasi qëndrojnë në ‘majë të greminës’.

Kissinger këmbënguli se ‘trajektorja e tanishme e marrëdhënieve duhet të ndryshohet’ dhe vuri në dukje shenjat që të dyja palët po kërkojnë uljen e tensioneve.

Megjithatë, ai argumentoi se ishte e diskutueshme nëse SHBA-ja dhe Kina do ishin në gjendje të qetësonin tensionet.

“Ata nuk janë përfshirë ende në llojin e dialogut që unë kam sugjeruar. Por unë mendoj se ata po ecin drejt tij”, tha ai.

Diplomati veteran me sa duket i referohej vizitës së ardhshme të Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken në Kinë. Sipas Uashingtonit, të dy palët synojnë të ‘diskutojnë rëndësinë e mbajtjes së linjave të hapura të komunikimit’, si dhe një numër çështjesh dypalëshe shqetësuese.

Udhëtimi historik vjen në një pikë të ulët në marrëdhëniet mes dy vendeve, me Tajvanin ndër çështjet më përçarëse. Kina e konsideron ishullin e vetëqeverisur si pjesë të territorit të saj sovran dhe është zemëruar nga blerjet e pajisjeve ushtarake amerikane nga Taipei.

Zyrtarët e lartë kinezë kanë deklaruar vazhdimisht se do parapëlqenin një ribashkim paqësor me Tajvanin, por nuk e kanë përjashtuar përdorimin e forcës për të arritur këtë qëllim.