Vendosni fjalën kyçe....

Aktori Florjan Binaj, ‘viktimë’ e portaleve për klikime


Një monolog i aktorit të njohur të humorit në Shqipëri Flor Binaj dedikuar artistëve në emisionin ‘Piranjat’, është keqpërdorur nga portalet me tituj bombastikë që nuk kanë lidhje me përmbajtjen e videos.

Ky është rasti tipik kur portalet prodhojnë tituj të rremë në përpjekje për të marrë sa më shumë klikime dhe reagime nga ndjekësit.

Në përpjekje për të marrë sa më shumë klikime dhe reagime nga ndjekësit, portale të ndryshme në Shqipëri i ofrojnë lexuesve tituj bombastikë, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me përmbajtjen e artikullit. I tillë është dhe rasti i portalit vjosa.net.

“Revolta e Florian Binajt: Sot s’ka më artista, por ku*** e budallenj. Edhe Vaçe Zela të ngjallej, do dështonte”.

Ky është titulli sensacional që portali vjosa.net ka zgjedhur t’iu ofrojë lexuesve më 3 qershor, duke pretenduar se aktori i njohur i humorit Florian Binaj ka folur me gjuhë fyese ndaj artistëve shqiptarë.

Artikulli i shpërndarë në Facebook nga faqja Aktorët shqiptarë ka marrë 6 mijë reagimë, 958 komente ndërkohë që 67 përdorues të tjerë e kanë shpërndarë në profilet e tyre.

Verifikimet tregojnë se ky është rasti tipik kur portalet prodhojnë tituj të rremë në përpjekje për të marrë sa më shumë klikime dhe reagime nga ndjekësit.

Në monologun dedikuar artistëve (të cilin mund ta shihni këtu) nuk i gjen fjalitë ‘bombastike’ që pretendohen se janë thënë nga aktori.

I pyetur më tej nga Faktoje aktori Binaj konfirmon se i janë vënë në gojë fjalë të pathëna.

“Nuk jam shprehur në asnjë moment që sot s’ka më artista, as që të kem sharë dikë ku…, as që Vaçe Zela të ringjallej dhe as që do dështonte…”, thotë Binaj. 

Ai shton se në brendësi të lajmit monologu është zbardhur i saktë, ndërsa në titull janë vënë fjali që as nuk janë thënë dhe as nuk janë nënkuptuar.

I njohur për nismat e tij dhe angazhimet civile, Binaj kërkon që të gjithë së bashku t’ju çjerrim maskën e të zbulojmë me identitet të plotë cilët janë ata menaxherë portalesh që për përfitim janë të gatshëm t’u prishin jetën dhe vlerat të tjerëve.

“Po të hysh të analizosh faqen pastaj, përveçse nuk përmëndet askund kush e menaxhon, të bën përshtypje që ka një mesatare pëlqimesh tek jo më shumë se 200-400 like për postim por kur ka nxjerrë këtë lajm, sheh që arrin me mijëra reagime mes likesh dhe më shumë me mesazhe urrejtjeje. Domethënë për ata dhe shumë të tjerë nuk ka rëndësi kujt i biet në qafë, për ata rëndësi ka që të marrin klikime, ndërveprime në faqe dhe fatkeqësisht, njerëz të mllefosur e të frustruar nga jeta të gatshëm t’ia vënë fajin të tjerëve për dështimet e veta, nuk mungojnë në rrjete sociale…”, shprehet aktori.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dezinformimin.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Faktoje.al