INSTAT raportoi se vitin e kaluar Shqipëria u vizitua nga 7.5 milionë turistë. Po INSTAT raportoi se strukturat akomoduese në të gjithë vendin u vizituan për të gjithë vitin e kaluar nga 1.4 milionë turistë.
Kjo shifër përfshin si turistët e huaj ashtu dhe ata vendas, që shkojnë për fundjava në hotele. Pra 7.5 milionë turistë, por 1.4 milionë bujtës në hotele? Unë po e quaj këtë Paradoksi i parë i Zenonit.
Për ta shtjelluar pak më tej paradoksin vlen dhe një statistikë tjetër. Ata 7.5 milionë turistët që erdhën vitin e kaluar, së bashku me të gjithë shqiptarët që kanë bërë fundjava nëpër hotele, regjistruan gjithsej 3.8 milionë netë qëndrimi në hotele gjatë vitit të kaluar.
Pra 7.5 milionë turistë dhe qindra mijëra shqiptarë kanë fjetur gjithsej 3.8 milionë netë nëpër hotele vitin e kaluar? Kjo do të thotë se mesatarisht një turist që hyn në Shqipëri, fle vetëm gjysmë natë në hotel apo strukturat e tjera akomoduese. Po themi deri në orën 1 të natës. Pastaj del ky dhe hyn turisti tjetër për gjysmën e mbetur të natës. Ky është paradoksi i dytë i Zenonit. Dhe pyetja që ngrenë dy paradokset është kjo; Ku flenë turistët që vijnë në Shqipëri?
Statistikat kanë një veti të magjishme. Kur t’i fut duart dhe i manipulon të çojnë në situata absurdi dhe komike si kjo më sipër. Pak ditë më parë Oligarkia.al ekspozoi përmes një analizë paradoksin e madh të turizmit në Shqipëri. Atë që në letër Shqipëria përfiton miliarda euro nga turistët, por në buxhet vetëm qindarka.
Banka e Shqipërisë thotë se vitin e kaluar ekonomia shqiptare përfitoi 2.8 miliardë euro nga turizmi. Por në të gjithë vitin e kaluar hotelet dhe bujtinat anembanë vendin raprotuan në Tatime vetëm 140 milionë euro arkëtime nga fjetja. Buxheti përfitoi më pak se 8 milionë euro taksë.
Tani kemi dy pyetje.
1-Ku flenë turistët që hyjnë në Shqipëri?
2-Ku humbasin miliardat e turizmit?
Dy pyetjet kanë dy përgjigje. E para na thotë që ndoshta ne numërojmë për turistë edhe ata që kalojnë transit nëpër Shqipëri. E dyta na sinjalizon për informalitet të madhe. Ajo që ndodh është një kombimin i të dyjave.
Shifra 2.8 miliardë euro e të ardhurave nga turizmi është e fryrë dhe hotelet nënraportojnë xhiron.
Problemi është që ne asnjëherë nuk do të mësojmë shifrën reale të të ardhurave nga turizmi. Ai 2.8 miliardë euroshi që raporton Banka e Shqipërisë është vlerësim. Mund të jetë afër realitetit, por mund të jetë edhe shumë larg. I vetmi tregues i matshëm dhe i besueshëm është numri i netë qëndrimeve që raportojnë hotelet. Me atë numër, vitin e kaluar gjithë Shqipëria pati më pak se 2 milionë turistë të mirëfilltë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Oligarkia.al