Është prezantuar këtë të dielë në Tiranë Lëvizja më e re politike, “Konservatorët”.
Nisma politike e paralajmëruar nga aktivistja e djathtë, Evi Kokalari, çeli siparin, por ende pa u konfirmuar mirëfilli si një parti politike.
Sipas Kokalarit, kjo lëvizje që do të jetë e hapur për të bashkëpunuar edhe me PD, do të ketë një mision fillestar.
“Të tërë pyesin një gjë. Si do e ndryshojmë. Të flasësh lartë e poshtë për doktrinën konservatore nuk është koha. Por një gjë që ne duhet të bëjmë është ndryshimi i mentalitetit se si bëhet politike në Shqipëri”, tha Kokalari.
Kokalari prezantoi edhe objektivin që ka kjo lëvizje e re politike për procesin e ardhshëm elektoral të 2025-ës.
“Do fillojmë nga baza. Do mbledhim bazën dhe mund të kthehet në parti politike në çdo moment para zgjedhjeve të 2025. Por deri sa të vijnë zgjedhjet, ajo që dua unë të bëj është që të mbledh 140 vetë me karakter të fortë dhe me integritetin e duhur që të hyjnë në Parlament”, u shpreh ajo.
Duke shprehur keqardhje për zhvillimet në PD dhe devijimin që partia e drejtuar nga Berisha pësoi nga doktrina konservatore, Kokalari u shpreh e sigurt se shumë demokrat do i bashkohen kësaj nisme të re politike.
“Dalëngadalë këta të PD do na afrohen, sepse më shumë kohë që kalon, ata më shumë lodhën. Momentalisht ata ndihen të lodhur. Ne duhet të ngremë elektoratin gri, dua t’ju falënderoj ju, pasi shumë prej jush mund të keni pasur kërcënime për të mos marrë pjesë në këtë takim sot”, theksoi Kokalari.
Gjatë këtij eventi në Tiranë, Kokalari foli për një model ndryshe të kësaj partie, duke theksuar se ajo mund të mos jetë e vetmja drejtuese e partisë së re që pritet të lindë.