Vendosni fjalën kyçe....

Rikthimi i Vetting-ut në polici, 33 drejtues ‘në sitën’ e AMP-së, Kreu i sindikatës së policisë: Ligji u jep të drejtën efektivëve ta shmangin filtrin


Vetting-u në Policinë e Shtetit u rikthye në fund të majit me vendimin e parë të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, për largimin nga detyra e drejtuesit të Lezhës të Vehbi Bushatit. Ai u shkarkua si drejtues qarku, pasi nuk kishte dorëzuar në kohë formularin e ri të vetting-ut, por u emërua këshilltar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Për kreun e Sindikatës së Policisë së Shtetit Sadedin Fishta, e drejta për të mos hyrë në vetting është e parashikuar në ligj dhe shkaqet janë subjektive.

Ka të bëj me të drejtën e individit, punonjësit të policisë, nëse ky do ta realizoj vetting-un apo jo. Është e drejtë e tij që para se para se të kaloj në komision të dorëhiqet. Ka bërë tërheqje pasi e ka parë që nuk ka qenë në gjendje të mbuloj të ardhurat, apo ka pasur vështirësi. Periudha që i kërkohet janë 10 vitet e fundit.”- tha kryetari i sindikata të Policisë, Sadetin Fishta.

Vehbi Bushati, me një karrierë të gjatë si drejtues në shumë qarqe, tashmë do të jetë këshilltar i Muhamet Rrumbullakut, detyrë civile pa nevojë grade.

“Kjo mbetet në vlerësimin e drejtuesit të Policisë së Shtetit. Pra, ai e ka parë që këtu mund të ketë akoma mundësi për të kontribuar.”- tha ai.

Në vijim AMP, e cila bënë tashmë vetting-un, mund të japë sërish vendime të ngjashme, që i lë sërish drejtuesit pjesë të policisë, por pa poste. E megjithatë, për Fishtën, për rastet që mund të ketë dyshime, mund të nisë edhe hetimi penal.

“Strukturat e tjera nuk i pengon njeri për të parë nëse ka shkelje apo jo individi, ta ndjekin me procedura të tjera. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për atë është krijuar.”- u shpreh ai.

Por, kur një drejtues që i nënshtrohet vetting-ut, përjashtohet përfundimisht nga Policia e Shtetit?

“Lirimi përfundimisht bëhet për të gjithë drejtuesit që kalojnë vetting-un dhe në raportin që paraqet komisioni del që deklarata për pasurinë nuk përputhet me të dhënat.”- tha ai.

Në radhë, për të kaluar në vlerësim kalimtar të vetting-ut janë 33 drejtues të tjerë të Policisë së Shtetit. Burime pranë AMP thonë se gjasat janë që vendimet e para të merren në shtator, pasi për ta po vijon verifikimi i të gjitha të dhënave në 2 shtylla hetimi: pasuri, aftësi profesionale dhe pastërti figure. Pas përfundimit të fazës së parë, nis faza e radhë me listën e emrave që do të shortohen. I gjithë procesi parashikohet të mbyllet brenda 2025-ës, për të vijua më pas vetëm me rivlerësim periodik që do u bëhet çdo 5 vite të gjithë drejtuesve.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Shqiptarja.com