Shqipëria është deficitare në tregtinë e mallrave me Serbinë, por pozicioni tregtar i përmirësua ndjeshëm në 4 muajt e parë të vitit 2023, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.
Gjatë janar – prill, Shqipëria importoi 7.3 miliardë lekë mallra me një rënie 24% në raport me të njëjtën periudhe të vitit të kaluar. Nga ana tjetër, eksportet shqiptare në Serbi në të njëjtën periudhë arritën një vlerë prej 5.6 miliardë lekësh, me rritje 13%.
Shqipëria kishte deficit tregtar 1,6 miliardë lekë nga 4.6 miliardë lekë në janar – prill 2022, me tkurrje 64%.
Të dhënat më të detajuara tregojnë se bilanci tregtar u përmirësua nga rënia importeve të drithërave nga Serbia dhe rritja e eksporteve të frutave dhe zarzavateve shqiptare në Serbi.
Gjithashtu këtë vit u vu re rritje e ndjeshme e eksporteve shqiptare të naftës dhe mineraleve drejt Serbisë, grupi më i madh i eksportit në vlerë prej 2.7 miliardë lekësh me një rritje vjetore 92%.
Zarzavatet ishin grupi i dytë më i eksportuar në Serbi me vlerë 975 milionë lekë, me rritje vjetore 25% në 4-mujorin e parë.
Giza dhe Çeliku ishte grupi tretë më i madh i eksportit shqiptar në Serbi për nga vlera, me një total prej 103 milionë lekësh në 4-mujor, me rritje vjetore 20%.
Rritje të konsiderueshme shënuan edhe eksportet e peshkut, kripërave dhe frutave.
Nga ana tjetër, dy grupe e mëdha të importit nga Serbia në Shqipëri shënuan rënie në këtë 4-mujor, lëndët djegëse dhe drithërat përkatësisht me 73 dhe 48%.
Serbia ishte një furnitor i rregullt i Shqipërisë me grurë sidomos pas luftës në Ukrainë kur tregtia me Rusinë u vështirësua. Por rritja e prodhimit vendas në drithëra që u nxit vitin e kaluar nga lufta në Ukrainë dhe ulja e konsumit të brumërave i çuan importet e grurit nga Serbia drejt përgjysmimit.
Gjatë viteve të fundit, volumet tregtare mes Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor (Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjës dhe Malit të Zi) janë rritur ndjeshëm, jo më shumë nga lehtësimi i procedurave tregtare, se sa nga nisma private e bizneseve që kanë vlerësuar me leverdi tregtinë afër kufijve, për produkte që më parë i faturonin në vende më të largëta.
Të dhënat zyrtare mbi tregtinë e jashtme tregojnë se më 2022, Shqipëria realizoi 10% të tregtisë me vendet e rajonit nga 6.5% në vitin 2010.
Kosova është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë në rajon, me të cilën u realizua 35% e volumit tregtar.
Partneri i dytë tregtar më i rëndësishëm është Serbia, me të cilën kemi 31% të volumit tregtar rajonal, më tej Maqedonia e Veriut, me 21%, Mali i Zi, me 8% dhe Bosnjë-Hercegovina, me 4%./B.Hoxha
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor