Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së tij në konferencën ku po diskutohet projektligji i PD për minimumin jetik që duhet të vendoset për shqiptarët, tha se sot ka një hendek të madh, midis të pasurve dhe të varfërve në Shqipëri .
Berisha vijoi se vendosja e një pagese prej 200 euro si minimum jetik për person është një përgjigje e situatës emergjente në të cilën ndodhet Shqipëria.
Ai u ndal te çështja e energjetikës, që sipas tij po abuzohet nga kryeministri Rama dhe ministrja Belinda Balluku.
Sipas tij, Balluku dhe sekserët e saj shesin më lirë energjinë, duke iu referuar çmimeve në Bursën e Tiranës dhe atë të Vjenës. Ai tha se digat janë plotë dhe se këto ditë do të shitet një sasi e madhe energjie.
“Sot ka një hendek të madh, ndër më të mëdhenjtë që një komb mund të ketë, midis të pasurve dhe të varfërve në Shqipëri. Sot ka një rupturë të madhe brenda kombit, de facto ka një përjashtim dhe një kërcënim për përjashtim nga jeta me kushtet më elementare të qindra mijëra shqiptarëve, sipas FMN-së të 48 përqind të shqiptarëve, sipas Eurostat ky rrezik është për 60 përqind të shqiptarëve. E vërteta është se ky hendek i madh në të ardhura në Shqipëri është më i madh se në çdo komb tjetër në Ballkan dhe në Europë. Ka një shkak themelor që ka krijuar këtë hendek të tmerrshëm, është vjedhja e madhe që u bëhet qytetarëve, pasurimi duke vjedhur të varfrit i qeveritarëve dhe oligarkëve, klientelës së tyre. Shqipëria është një vend i vetëm që nuk i garanton qytetarëve të vet nuk i mbron ata me një minimum jetik, me të cilin ata mund të blejnë ushqimet si individë dhe si familje, dhe përveç ushqimeve, pak më shumë se gjysma e të ardhurave duhet t’u mbeten për plotësimin e nevojave të tjera. Avokati i Popullit e ka përllogaritur këtë minimum jetik rreth 200 euro. Sot minimumi jetik mesatar në BE është 840 euro, pra është llogaritur një e katërta, ndërkohë që duhet të jemi të vërtetë, çmimet e ushqimeve bazë në Shqipëri janë të njëjta dhe në disa artikuj, edhe më të kushtueshme se në mesataren e BE. Por, vendosja e një pagese prej 200 euro si minimum jetik për person është pa diskutim një përgjigje e situatës emergjente në të cilën ndodhet Shqipëria. Nga kjo pagesë, përfitojnë mbi 85 përqind e pensionistëve, të cilët janë ndër këtë pagesë, përfitojnë të gjithë familjet me ndihmë ekonomike, të cilët marrin një mbështetje qesharake, maksimumi 8 mijë lekë, përfitojnë kategori të tjera dhe duhet të përfitojnë studentët, duhet të përfitojnë të rinjtë. Me një fjalë, shtrirja, vendosja me ligj është një përgjigje ligjore që i jepet kësaj situate katastrofale ku ndodhet vendi, me kërcënim të madh për varfëri dhe mjerim, si asnjë vend tjetër në Europë.
Është normale që çdo njeri të shtrojë pyetjen: ku do gjenden këto fonde? A i disponon Shqipëria këto fonde sot?
Unë ju garantoj se Shqipëria këto fonde i disponon plotësisht, por kjo kërkon që qeveria të mos vjedhë siç po vjedh qytetarët shqiptarë, të mos abuzojë me taksat dhe pasuritë publike. Kjo kërkon që Shqipëria të ndërtojë punë publike me të njëjtat çmime që ndërtohen në BE, nuk po them më lirë. Por jo 8 herë më shtrenjtë. Kjo kërkon që Shqipëria t’i japë fund kësaj vjedhje të tmerrshme me energjinë. Çdo ditë Rama-Balluku, shesin me çmime qesharake krahasuar me çmimet e bursës, energjinë elektrike, këtë pasuri publike të shqiptarëve. Në një kohë kur kanë inauguruar bursën e energjisë. Asgjë nuk kalon nga bursa. Edhe dje, po shesin jashtë burse më një çmim 30 euro më të lirë se bursa e Tiranës dhe rreth 60 euro më të lirë se bursa e Vjenës. Pritet në 2-3 ditët e ardhshme të shesin një sasi kolosale energjie sepse digat janë plot. Shqiptarët duhet ta dinë se vjedhjet e kësaj qeverie kanë kufi vetëm qiellin. Bërtasin gjatë gjithë vitit se Shqipëria ka pasur vitin e kaluar 7.2 milionë turistë. A e dinë shqiptarët sa ka përfituar buxheti i shtetit nga këta miliona turistë? Ka përfituar 1.1 euro për turist. Ka fituar gjithsej 8 milionë euro. A mund ta imagjinoni ju këtë? Çfarë ndodh? Të gjitha i vjedhin tatimorët, të gjitha janë informalitet. Janë të raportuar 3.2 milionë netë të fjetjes së turistëve, se të tjerët flenë në lëndina, por edhe nga këta, shteti ka inkasuar 8 milionë euro. Ky është shtet që vidhet njësoj si në novelat e Dino Buxatit. Ne kemi përgatitur ligjin dhe ligji e detyron çdo qeveri që në buxhetin e shtetit, çdo vit të përcaktojë fondin e minimumit jetik. Ligji është në parlament, por ne do bëjmë çmos që ta votojmë sa më shpejt..”, tha Berisha.