Është kthyer në një debat procedurial seanca e sotme gjyqësore ku avokatët mbrojtës të të pandehurve për dosjen e inceneratorit të Fierit do të paraqisnin konkluzionet.
Në këtë seancë ish deputeti socialist është mbrojtur nga dy avokatë të tjerë ndërkohë që ka njoftuar se Sokol Hazizaj nuk do të jetë më avokati i tij
Avokatët Artan Kodheli dhe Eduart Sheko pretendojnë se në këtë fazë të gjykimit kur është pranuar gjykimi i shkurtuar nuk mund të ketë ndryshime të akzuës dhe e quajti veprimin e prokurorit, veprim arbitrar.
Artan Kodheli, avokat i Alqi Bllakos: “Rëndimi i akuzës për Bllakon është i paligjshëm dhe për ti bërë presion gjykatës në momentin e konkluzioneve përfundimtare. KKP e rregullon në mënyrë shterruese qëndrimet që duhet të mbajë prokurori. Gjykata ka konkluduar se për Alqi Bllakon, do të ketë shpërdorim detyre dhe korrupsion aktiv, jo si funksionar i lartë shtetëror. Asnjë organ akuze nuk mund të ndryshojë një vendim të formës së prerë sidomos në këtë fazë të gjykimit. KPP ndalon kategorikisht një vendim të tillë, jemi në një procedim të gjykimit të shkurtuar. S’mund të ketë fakte të reja në gjykim të shkurtuar. Është veprim arbitrar i prokurorit. E akuzon për shpërdorim detyre duke mos cituar asnjë ligj dhe duke shkelur 10 dispozita ligjore. Prokurori shpërdoron detyrën duke ngritur akuza për shpërdorim detyre. Sekretari i përgjithshëm është funksion i lartë civil.”
Eduart Sheko, avokati i Alqi Bllakos: “Prej 18 muajsh ndjekje inkuizitore ndaj Alqi Bllakos me mjete ekstra-ligjore. Prokurori e ka pranuar këtë kërkesë për saktësim akuze. Nëse ishte kundër, ta ankimonte jo ta linte për ta bërë tani. Ky është një akt i pabesë që bëhet pikërisht në këtë fazë.”