Ndërsa mbi 27 mijë maturantë sot po matin njohuritë në provimin e fundit të Maturës Shtetërore në provimin e Lëndës me Zgjedhje, tezat e provimeve janë shpërndarë online sërish vetëm pak minuta nga fillimi i testit këtë të hënë, duke u përsëritur historia nga maturantët për këtë fenomen.
Tezat e e Ekonomisë, Biologjisë, Fizikës, Qytetarisë etj, u publikuan vetëm 17 minuta nga nisja e provimit në orën 10.00.
Më herët janë publikuar edhe tezat e gjuhës së huaj, Gjuhës shqipe dhe Letërsisë si dhe Matematikës. Kur u pyet nga gazetarët, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi tha se nuk cënohet procesi. Ajo garantoi se asnjë test i zgjidhur jashtë provimit, nuk ka hyrë në ambientet e brendshme.
Testi i Lëndës me zgjedhje mbyll ciklin e provimeve të Maturës me peshë të rëndësishme në përzgjedhjen fitues në universitete. Asnjë provim mature deri më sot nuk i ka shpëtuar dorës misterioze që publikon tezat e provimeve. Në gjithë vendin rreth 7800 mësues kontrollojnë mbi 27.000 maturantë. Ekspertët janë të mendimit se nxjerrja e tezës është cënim i rëndë i integritetit të procesit të Maturës Shtetërore pasi penalizon maturantët më të mirë dhe dëmton meritën.