Vendosni fjalën kyçe....

Paqartësi për kreun e ri të NATO-s, Macron kundër britanikut Ben Wallace


Presidenti francez Emmanuel Macron dyshohet se është përpjekur të parandalojë Sekretarin e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar Ben Wallace që të bëhet shefi i ardhshëm i NATO-s, sipas Telegraph të dielën.

Macron ka shfaqur rezervat e tij duke u bazuar te Brexit, dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja.

Wallace po konsiderohet si një pasardhës i mundshëm i norvegjezit Jens Stoltenberg teksa mandati i tij të përfundojë më vonë këtë vit.

Duke cituar burime të njohura me këtë temë, e përditshmja britanike raportoi se zyrtarët francezë u kanë komunikuar homologëve të tyre të NATO-s se ata parapëlqejnë referojnë që një përfaqësues nga Bashkimi Evropian të marrë rolin.

Një burim i cituar nga Telegraph tha: “Ai nuk është nga një vend anëtar i BE-së. Shumë vende, kryesisht Franca, këmbëngulin që Sekretari i ardhshëm i përgjithshëm duhet të vijë nga një vend i BE-së.”

Kjo lëvizje shihet si pjesë e përpjekjeve të Francës për ta bërë BE-në më të pavarur ushtarakisht dhe më pak të varur nga Uashingtoni për çështjet e sigurisë.

Stoltenberg, i cili mban postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s që nga viti 2014, pritet të japë dorëheqjen në shtator, por pretendohet se presidenti amerikan Joe Biden ka kërkuar zgjatjen e mandatit të Stoltenberg.

Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar Wallace është përmendur si një nga pasardhësit e mundshëm të Stoltenberg.

Wallace më parë sinjalizoi se është gati të marrë rolin, duke thënë: “Unë gjithmonë kam thënë se do ishte një punë e mirë. Kjo është një punë që do e doja por s’më takon mua ta vendos. Është vendim që do merret nga aleatët.”

Më herët Polonia e vendet baltike janë shprehur kundër një tjetër nordiku apo britanikut Wallace në krye të NATO-s.