Vendosni fjalën kyçe....

Zhduket nëndetësja turistike që të çonte te Titaniku me disa shkencëtarë dhe një biznesmen në bord


Një nëndetëse turistike me disa shkencëtarë dhe eksplorues të shquar që besohet se ndodheshin në bord është zhdukur në Atlantikun e Veriut ndërsa ishte duke u zhytur për të parë mbetjet e Titanikut. Një mision kërkimi-shpëtimi nisi të hënën, duke përfshirë avionë dhe pajisje nënujore ndërsa shqetësimi u rrit pasi nëndetësja, e cila njihet më së miri për zhytjet e shtrenjta turistike në rrënojat e famshme, ishte “e vonuar”, sipas rojet bregdetare amerikane.

Një eksplorues britanik dhe një veteran ushtarak francez dhe ekspert i nëndetëseve besohet të jenë në mesin e atyre në bord.

Një zëdhënës i rojes bregdetare të Bostonit konfirmoi për The Guardian të hënën në mëngjes se “një nëndetëse e vogël me pesë persona në bord ishte zhdukur në afërsi të mbytjes së Titanikut”. Mjeti u identifikua më vonë si Titan, një nëndetëse që operohet nga kompania e turizmit nënujor Oceangate.

Kundëradmirali John Mauger, komandanti i parë i distriktit të Rojës Bregdetare të SHBA, që mbikëqyr operacionin e kërkim-shpëtimit, tha për Fox News se shërbimet e shpëtimit u njoftuan të dielën pasdite. Mauger tha se nëndetësja ishte projektuar të dilte automatikisht nëse haste në probleme dhe duhej të kishte 72 orë oksigjen të mbetur.

Një nga ata që besohet të jetë në bord është Paul Henry Nargeolet, një ish-komandant i marinës franceze, një zhytës i thellësive. Si drejtor i kërkimit nënujor për E/M Group dhe RMS Titanic, Inc, ai konsiderohet gjerësisht autoriteti kryesor në vendin e mbytjes dhe është e mundur që ai të ishte përgjegjës për nëndetësen me katër pasagjerë në bord.

Nargeolet ka udhëhequr disa ekspedita në vendin e Titanikut dhe ka mbikëqyrur rikuperimin e 5000 objekteve, duke përfshirë rikuperimin e “pjesës së madhe” një seksion prej 20 tonësh të bykut të Titanikut.