Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar sot ndaj sulmit të mëngjesit në kampin e MEK në Manëz duke e quajtur atë një krim të shëmtuar dhe dhunim flagrant të ligjeve.
Berisha i ka konsideruar veprimet e policisë si banditeske, duke shtuar se policia nuk mbajti asnjë procesverbal për dokumentet dhe objektet që konfiskoi në kamp.
Berisha tha se nuk përjashtohet mundësia që brenda kampit të ketë terroristë, por akuzat e formuluara nga prokuroria apo policia kërkonin hetim, e nuk mund të bëheshin me një reprezalje masive ndaj refugjatëve iranianë me strehë në Shqipëri.
“Ngjarja në Manzë përbën një krim të shëmtuar, përbën një dhunim flagrant të të gjitha ligjeve të vendit, traditës shqiptare dhe detyrimit që rrjedh nga kjo traditë si vend mikpritës. Dënoj me ashpërsinë më të madhe terrorin fizik, psikologjik të gjithanshëm të ushtruar ndaj muxhahedinëve. Dënoj me ashpërsinë më të madhe dhunën e egër fizike, e cila ka pasur pasojë gjer tani një të vdekur me plagë të shumta dhe mbi 40 të plagosur, një pjesë e të cilëve janë në spitalet e vendit. Dënoj me ashpërsinë më të madhe veprimet dhe i konsideroj ato banditeske, pasi të gjitha objektet e konfiskuara janë marrë pa lënë asnjë dokument, asnjë procesverbal nga policia e Edi Ramës”, tha Berisha.
Sipas tij “PD është në parti e cila dënon terrorizmin ngado që vjen. Nuk përjashtojmë mundësinë që brenda muxhahedinëve të ketë edhe të infiltruar dhe terroristë. PD nuk pranon kurrë ndëshkime kolektive dhe këtë që ka ndodhur sot, një masakër e vërtetë në kampin e Manzës. Akuzat e formuluara nga prokuroria apo policia kërkonin hetim por nuk mund të bëheshin me një reprezalje masive ndaj refugjatëve iranianë me strehë në Shqipëri”.
“Sulmet kibernetike nga regjimi i Iranit janë një e vërtetë. Por para këtyre sulmeve nuk ishte Garda e Iranit që sulmoi sistemet dixhitale shqiptare, por i sulmoi Rama me falangat e tij të krimit që nxorri në treg të gjtiha të dhënat për punonjësit e SHISH dhe duke dëmtuar edhe interesat e shërbimeve sekrete të NATO-s në tërësi”, deklaroi më tej Berisha.