Vendosni fjalën kyçe....

MEK i kërkon SHBA-së të dënojë aksionin policor në kamp: Sjellje kriminale, barbare, e jashtëligjshme


Organizata e Muxhahedinëve të Iranit MEK, i ka bërë thirrje SHBA-sëe OKB-së që të dënojnë kontrollin e policisë në kampin e tyre në Manëz.

Operacioni policor u zhvillua që në orët e para të mëngjesit të sotëm ku qindra forca policie mësynë kampin për të kryer kontrolle pas dyshimeve se brenda kampit kishte godina që përdoreshin për sulme kibernetike ndaj vendeve të tjera.

“Rezistenca iraniane kërkon që SHBA, qeveria dhe Kombet e Bashkuara, të cilat kanë garantuar sigurinë dhe mirëqenien e banorëve të Ashrafit në mënyrë të përsëritur, të dënojnë këtë sjellje kriminale dhe barbare dhe të japin garancitë e nevojshme për të parandaluar këto lloj sjelljesh të jashtëligjshme që shkelin në mënyrë flagrante shumë traktate ndërkombëtare, duke përfshirë Konventën për Statusin e Refugjatëve, Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Bashkimi Evropian, për anëtarësimin e të cilit Shqipëria ka aplikuar, duhet të dënojë këtë sulm brutal dhe të kërkojë llogari nga qeveria shqiptare për këtë sjellje.” – thuhet në deklaratën e MEK.

Aksioni u dënua nga anëtarët e MEK të cilët akuzuan policinë për dhunë. Ndërkohë Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë hedhur poshtë akuzat për dhunë duke akuzuar anëtarët e MEK për dhunë ndaj policisë.

Po kështu drejtori i Policisë së Shtetit Rrumbullaku tha se brenda kampit ishin gjetur 17 godina ktë cilat dyshohet se përdoreshin për të mbajtur serverat e organizatës dhe se gjatë aksionit policor ishte tentuar djegia e provave dhe dokumenteve.