Pikëkalimi kufitar në Merdare, që lidh Kosovën me Serbinë, vazhdon të jetë i bllokuar për kamionë dhe autobusë, ndërkaq përmes tij mund të kalojnë veturat private. Situatë e ngjashme është edhe në pikën kufitare në Jarinjë, ndërkaq ajo e Bërnjakut është krejtësisht e bllokuar për hyrje dhe dalje.
Zyrtarët policorë në Merdare i thanë Radios Evropa e Lirë se pavarësisht se rruga mbetet e bllokuar, veturat private mund të kalojnë, por qytetarët po shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare me Serbinë.
Qarkullimi i veturave është orientuar tashmë në pikën kufitare të Dheut të Bardhë, në afërsi të Kamenicës.
Autoritetet në Kosovë bënë të ditur mbrëmjen e 19 qershorit se është pamundësuar lëvizja e autobusëve dhe kamionëve nga Kosova për në Serbi, në pikëkalimet në Jarinjë dhe Merdare
Në Merdare nuk ka kolona as të veturave private e as të kamionëve e mjeteve të tjera transportuese.
Autobusët dhe kamionët nuk kanë kaluar nëpër këtë pikëkalim që nga orët e para të mëngjesit të 20 qershorit.
Gazetarët e Radios Evropa e Lirë kanë parë disa vetura private me targa të Serbisë duke hyrë në Kosovë, përmes Merdares. Shoferët e këtyre veturave, me të cilët bisedoi REL-i, thanë se në terrorin e Serbisë bllokadat janë shkaktuar nga qytetarët dhe vendosja e kamionëve në rrugë. Megjithatë, sipas shoferëve, ata po lejojnë që veturat me targa serbe, të kalojnë.
Po ashtu, në Merdare janë parë edhe disa vetura me targa RKS- Republika e Kosovës – duke shkuar drejt territorit të Serbisë.
Bllokadat në kufi janë shkaktuar për shkak të protestave që janë mbajtur në territorin serb. Në zonat kufitare, në pjesën e Serbisë, kanë mbetur të bllokuar edhe kamionë që po transportonin mallra për në Kosovë.
Institucionet serbe deri më tani nuk kanë komentuar për këto bllokada në territorin e Serbisë.
Qeveria e Kosovës ka shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë më 14 qershor, duke mos lejuar hyrjen e kamionëve me targa dhe mallra serbe në territorin e Kosovës.
Ky vendim u mor pas arrestimit të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga autoritetet e Serbisë. Autoritetet e Kosovës kanë thënë se bëhet fjalë për rrëmbimin e tyre në territorin e Kosovës, ndërsa Beogradi ka thënë se ata janë arrestuar në territorin serb.
Ndryshe, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar në pikëkalimet e tjera kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Mutivodë, Muçibabë dhe Dheu i Bardhë – pritjet për të hyrë në Kosovë janë 3 deri në 5 minuta, ndërkaq nuk ka fare pritje për të dalë nga territori i Kosovës.
Bllokimi i qarkullimit në pikat kufitare me Serbinë, vjen në kohën e rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.