Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj: I shtrij dorën opozitës për të punuar së bashku, rikthimi i tyre lajm i jashtëzakonshëm


Erion Veliaj është betuar si kryebashkiak i Tiranës në një ceremoni në tarracën e bashkisë.

Ai tha se i shtrin dorën e bashkëpunimit opozitës duke përshëndetur kthimin e anëtarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak të kryeqyetit.

“Këtë dorë të shtrirë të bashkëpunimit e kam kryesisht për kolegët e opozitës. Është një lajm i jashtëzakonshëm që ata janë rikthyer në përfaqësimin e qytetit. Është qyteti më i madh jo vetëm i Shqipërisë dhe shqiptarisë, por sipas INSTAT, i vetmi qytet që vazhdon e rritet. Pashë statistikat e fundit. Durrësi është në të njëjtat shifra, ama Tirana vijon e rritet. Kjo do të thotë që një tryezë, një vendimmarrje, një karton votimi i lënë bosh në Tiranë ka edhe më shumë impakt, ndaj është shumë e nevojshme që të gjithë të jemi të përfaqësuar. Janë të paktën 9 grupime apo 10 parti, se disa janë koalicione është një kujtesë për ne, që duhet të dëgjojmë 10 herë më shumë, të matemi 10 herë më shumë, të punojmë 10 herë më fort. Suksesi ynë është edhe suksesi i tyre.” – tha Veliaj.

Veliaj tha se Tirana është e të gjithëve. Ai theksoi se Tirana është i vetmi qytet në vend që vijon të rritet dhe se ka një marrëshënie të shkëlqyer mes bashkisë e qeverisë.

“Tirana sot nuk është shtëpia vetëm e shqiptarëve. Nga tani e tutje duhet të flasim nga një Tiranë që në dallim nga koha kur ne rriteshin, sot nuk hyn e del dot nga Tirana pa parë grupime turistësh. Dua që Tirana të jetë e të gjithëve. Të gjithë bashkë mund të bëjmë më shumë. Kemi një skuadër që vë Tiranën të parën. Tirana i vetmi qytet në vend që vijon të rritet. Kemi një marrëdhënie të shkëlqyer mes bashkisë e qeverisë. Tirana është më e mirë falë kontributit të gjithësecilit.” – tha Veliaj. Veliaj u shpall fitues në zgjedhjet e 14 majit 2023 ku përballë kishte kandidatin e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, Belind Këlliçi.