Presidenti i SHBA Joe Biden e ka etiketuar homologun e tij kinez, Xi Jinping, një ‘diktator’, duke pretenduar se Pekini u poshtërua pasi një nga balonat e tij që dyshohej se përdorej për spiunim u rrëzua nga ushtria amerikane në fillim të këtij viti.
Biden diskutoi mosmarrëveshjen për balonën në një mbledhje fondesh në Kaliforni të martën, duke sugjeruar se inkursioni ishte i paqëllimshëm, edhe pse deklaroi se blaona ishte projektuar për spiunazh. Ai tha se fatkeqësia verboi zyrtarët kinezë, përfshirë Xi.
“Arsyeja pse Xi Jinping u mërzit shumë, kur e qëllova atë balonë me dy kuti plot me pajisje spiunazhi në të, ishte se ai nuk e dinte se ishte aty”, tha Biden.
“Ky është një siklet i madh për diktatorët. Kur ata nuk e dinë se çfarë ndodh. Ajo nuk duhej të shkonte atje ku ishte. Balona doli jashtë kursit.” – shtoi shefi i Shtëpisë së Bardhë.
Balona kineze lëvizi në hapësirën ajrore të SHBA në shkurt dhe pas disa ditësh u rrëzua nga një avion luftarak. Ndërsa Uashingtoni e ka përshkruar në mënyrë të përsëritur pajisjen si një ‘balonë spiunazhi’, Pekini pohon se ishte një mjet civil i përdorur për të mbledhur të dhëna meteorologjike dhe se doli jashtë kursit gabimisht.
Vërejtjet e Biden për donatorët erdhën vetëm një ditë pasi Sekretari i Shtetit Antony Blinken përfundoi një vizitë në Pekin, ku zhvilloi bisedime me Xi dhe zyrtarë të tjerë të lartë kinezë. Udhëtimi fillimisht ishte planifikuar për në shkurt, por u shty pas grindjes mbi balonën.