Vendosni fjalën kyçe....

Kurti konfirmon pjesëmarrjen në takimin e Brukselit


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se të enjten, më 22 qershor, do të udhëtojë drejt Brukselit për të marrë pjesë në takimin e thirrur nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

“Nesër do të udhëtoj nga Roma për në Bruksel, duke konfirmuar pjesëmarrjen time në dialogun e nivelit të lartë të thirrur nga përfaqësuesi i lartë Borrell. Do të insistoj në lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve [të Kosovës] që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”, shkroi Kurti në Twitter.

Më herët gjatë 21 qershorit, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se pret që Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për takim.

Burimet diplomatike të Radios Evropa e Lirë kanë përmendur mundësinë që Kurti dhe Vuçiç të mos kenë takim direkt por vetëm takime bilaterale me Borrellin.

Më herët, Vuçiç, ka thënë se nuk do të takohet me Kurtin në Bruksel. Megjithatë, ai ka deklaruar se do të vendosë nëse “teknikisht do të paraqitem në atë takim”, duke shtuar se ky do të jetë një vendim i tij strategjik për të cilin do ta informojë opinionin.