Numri i të vdekurve nga përmbytjet e shkaktuara nga shpërthimi në digën Kakhovka në rajonin Kherson të Ukrainës u rrit në 41, tha kreu i qeverisë së rajonit, i emëruar nga Rusia, herët të mërkurën.
“Deri në mbrëmje, 3,500 njerëz kishin marrë tashmë vaksinat kundër infeksioneve të rrezikshme. Pagesat prej 10,000 rubla u dhanë për pothuajse 2,200 viktima. Fatkeqësisht, numri i të vdekurve është rritur në 41,” tha Andrey Alekseenko në Telegram, sipas AA.
Alekseenko tha se uji i përmbytjeve në rrethin Oleshky të rajonit pothuajse u zhduk, ndërsa ka ende një sasi të madhe uji në rrethin Hola Prystan.
Të dy rrethet janë nën kontrollin e Rusisë.
Ai më tej tha se qyteti i Nova Kakhovka fqinj me hidrocentralin Kakhovka po kthehet gradualisht në “regjimin e tij të zakonshëm” të një “qyteti të vijës së parë”.
Ai tha gjithashtu se po merren masa kundër epidemisë dhe se janë mbledhur trupat e më shumë se 1600 kafshëve të ngordhura.
“Janë vaksinuar 6100 krerë kafshë bujqësore dhe shtëpiake. Me kullimin e ujit, rrugët dhe objektet dezinfektohen me reagentë të veçantë”, shtoi ai.
Ukraina dhe Rusia kanë fajësuar njëra-tjetrën për kryerjen e sulmeve më 6 qershor, të cilat çuan në shkatërrimin e mureve të digës, duke rezultuar në përmbytjen e zonave afër.