Vendosni fjalën kyçe....

Alfred Lela i hakërrehet Yuri Kim-it: U përpoqe të fusje opozitën në Alkatraz politik, agjendën diplomatike e ktheve në personale


Shefi i PR-it te Rithemelimi i PD-së Alfred Lela ka komentuar largimin e ambasadores amerikane Yuri Kim.

Në një shënim të gjatë ai e akuzon zyrtaren amerikane për fragmentarizimin e PD-së dhe çimentimin e pushtetit të Edi Ramës, të cilat janë sipas tij trashëgimitë më të zëshme të Kim.

“Sot në mbrëmje, Yuri Kim feston me të ftuarit e saj Independence Day, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është 4 korriku i saj i fundit në Shqipëri dhe mungesat në festë dëshmojnë se si Ambasadorja po e jep lamtumirën. Në kremtim do të mungojnë eksponentët e lartë të opozitës reale, por do të jetë opozita e emëruar, përfshirë këu, me gjasë, edhe ish-kryetarin e dorëhequr, më pas të rikthyer, të PD së vulës, Lulzim Basha. Ky fragmentarizim i opozitës dhe çimentim i pushtetit, do të jetë edhe trashëgimia më e zëshme e zonjës Kim në Shqipëri. Edhe pse, siç mund të thonë dashamirët e saj, ajo nuk veproi në kokë të vet, por e kishte ‘direktivë nga lart’, sërish interpretimi që i bëri kësaj direktive ishte në kufijtë e së mjerës.”  shkruan Lela.

Ai shton më tej se ambasadorja amerikane  në largim i ka ‘shërbyer’ kryeministrit Rama duke sjellë si shembull zgjedhjet e fundit lokale të 14 majit 2023.

“Katastrofa e peizazhit, për ata që duan ta shohin, është para syve: në zgjedhjet e fundit vendore, pavarësisht një harte ‘dërrmuese’, u pa qartë se qeveria socialiste nuk gëzon konsensus. Zëvendësimi i këtij konsensusi popullor me gëzimin e mospjesëmarrjes në zgjedhje të shqiptarëve, është një mjerim i dytë. Nuk ka ndonjë kryeministër në Europë, senator, kongresmen apo president në ShBA, që u bën thirje qytetarëve të mos votojnë por të rrinë në shtëpi, dhe i falenderon pas zgjedhjeve që nuk kanë dalë. Kjo është siguresa që, me ndihmën e Ambasadores Kim, Edi Rama i hoqi bombës që siguron paqe dhe konkurencë në shoqëritë demokratike: rotacioni nëpërmjet një gare pjesëmarrëse dhe përfshirëse, e themeluar mbi idetë dhe alternativat.” – shton shefi i PR-it në PD.

Sipas Lelës, përpjekja e Kim për të ndërtuar një Alktraz politik duke e futur opozitën aty përmes forcës, ka çuar në atë gjendje në të cilën ndodhet demokracia në vend.

Ai nënvizon se sjellja e Kim në vend është gjëja me joamerikane e saj ndërsa shton se me fjalimin e djeshëm ambasadorja në largim paralajmëroi për vijim të luftës ndaj opozitës.

“Përpjekja e Ambasadores për të ndërtuar një Alkatraz politik dhe për ta vendosur opozitën në të nëpërmjet forcës dhe jo procesit, ka ndërtuar atë rezultante demokracie që shohim sot në Shqipëri. Frika e disave dhe oportunizmi i të tjerëve për ta dëshmuar dhe kritikuar këtë si vepër në të cilën zonja Kim ka marrë pjesë, është padyshim gjëja më joamerikane që, born again pro-Americans i kontribuojnë debatit publik në Shqipëri. Volens non volens ata janë autorë, bashkë me zonjën Kim, të atentatit që i është bërë procesit demokratik në vend. Me sa duket, as Ambasadorja dhe as ata, nuk e shfaqin këtë empati për publiken dhe as pendesën që vjen me të. Kjo u duk në konferencën e lamtumirës të zonjës Kim dje. Pasi lajmëroi pozicionin e ri në Departmentin e Shtetit, ajo shtoi se Shqipëria do të ishte pjesë e punës së saj edhe në vijim “u pëlqen apo jo disave”. Fraza duhet interpretuar si vazhdim i luftës kundër opozitës (me opozitë kuptoni atë bllok politik që siguroi mbi gjysmë milioni vota në 1.3 milion votues – pavarësisht se i pati kundër të gjithë përfshirë Ambasadoren).” – shkruan ai.

Në fund shefi i PR-it te Rithemelimi thekson se Yuri Kim mori një agjendë diplomatike dhe e ktheu në personale.

Lela shkruan se përmasa e veprimeve të ambasadores në largim duhen analizuar në DASh në të kundërt dëmi ndaj proceseve demokratike në Shqipëri do vijojë edhe pas ikjes së saj.

“Në gjuhën e Ambasadores, ky është poor judgment. Në shqip, me inkursionine saj cinik, duhet të kuptojmë se ajo mori një agjendë diplomatike dhe e ktheu në personale. Ky, sigurisht, është qëmtimi i një editoriali dhe nuk ka vlerë tjetër veç konstatimit, por nëse përmasa e kësaj nuk kapet dhe nuk analizohet në Departamentin e Shtetit, proceset demokratike në Shqipëri do të vuajnë trashëgiminë e Yuri Kim. Thënë ndryshe, ajo do të jetë e larguar, por dëmi i saj do të vazhdojë.” – mbyll shënimin Lela.