Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell iu ka bërë sërish thirrje për një takim urgjent në Bruksel, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç për të gjetur një rrugëdalje për situatën e tensionuar.
Borrell në një postim në Twitter shkruan se është e nevojshme që situata të shtensionohet menjëherë dhe të ketë zgjedhje të reja në veri me pjesëmarrjen e serbëve.
“E kam thirrur presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bruksel për takime urgjente për të gjetur një rrugëdalje nga kriza aktuale. Ne kemi nevojë për qetësim të menjëhershëm dhe zgjedhje të reja në veri me pjesëmarrjen e serbëve. Kjo është parësore për rajonin dhe BE-në”, shkruan Borrell.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një ditë më parë ka njoftuar se pas takimit në Vatikan me Papa Françesku, do të udhëtojë për në Bruksel për takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.
“Sipas itinerarit tim të përcaktuar për të shkuar në Bruksel nga Roma, konfirmoj pjesëmarrjen time në takimin e dialogut të nivelit të lartë të thirrur nga Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme Josep Borrell”, ka shkruar Kurti. Ai ka thënë se në këtë takim do të insistojë për lirimin urgjent pa kushte të tre policëve të mbajtur peng nga Serbia, dhe për normalizimin e marrëdhënieve.