Vendosni fjalën kyçe....

Lufta në Ukrainë, Zelensky intervistë për BBC: Përparimi i ngadaltë, por lufta në front s’është film Hollivudi


Nga Yalda Hakim

Presidenti Volodymyr Zelensky ka pranuar se përparimi në fushën e betejës ka qenë ‘më i ngadaltë se dëshirohej’, javë pas ofensivës ushtarake të Ukrainës për të rimarrë zonat e pushtuara nga Rusia.

“Disa njerëz besojnë se ky është një film Hollivudi dhe presin rezultate tani. Nuk është ashtu,” i tha ai gazetares së BBC-së, Yalda Hakim.

“Ajo që është në rrezik janë jetët e njerëzve”.

Ukraina thotë se kundërofensiva e saj ka rimarrë tetë fshatra deri më tani në rajonin jugor të Zaporizhzhia dhe Donetsk në lindje.

Zelensky tha se kundërsulmi ushtarak nuk po shkonte lehtë sepse 200,000 km katrorë të territorit ukrainas ishin minuar nga forcat ruse.

“Çfarëdo që disa mund të duan, duke përfshirë përpjekjet për të na bërë presion, me gjithë respektin e duhur, ne do përparojmë në fushën e betejës në mënyrën që ne e konsiderojmë më të mirën”, shtoi Zelensky.

Ai përforcoi nevojën që Ukrainës t’i jepen garancitë e sigurisë nga NATO, por tha se në fund të fundit qëllimi ishte anëtarësimi në aleancën mbrojtëse.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s e bëri të qartë këtë javë se asnjë plan nuk ishte në tryezë për t’i dhënë një ftesë Ukrainës në samitin e muajit të ardhshëm në Lituani.

“Stoltenberg e di pozicionin tim,” tha udhëheqësi ukrainas.

“Ne u kemi thënë atyre shumë herë: “Mos na e rrëzoni tokën poshtë këmbëve tona.”
Udhëheqësi ukrainas përsëriti kërkesën që Ukraina të merrte avionë ‘F-16’ të prodhuar nga SHBA dhe tha se besonte se pilotët luftarakë mund të fillonin stërvitjen që në gusht dhe se avionët e parë mund të mbërrinin pas gjashtë ose shtatë muajsh.

Zelensky po fliste për  gazetaren e BBC-së Yalda Hakim për të shënuar një Konferencë për Rimëkëmbjen e Ukrainës në Londër, duke u përqendruar në rolin që mund të luajë sektori privat në rindërtimin e vendit të tij. Ai foli më vonë në konferencë, së bashku me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak.

Ekonomia e Ukrainës u tkurr me 29.2% në vitin 2022 dhe në fillim të këtij viti Banka Botërore vlerësoi koston e rindërtimit dhe rimëkëmbjes në 411 miliardë dollarë.

Udhëheqësi ukrainas i tha gazetares Hakim se mbështetja që i nevojitej nuk ishte vetëm për rimëkëmbjen, por edhe për shndërrimin e vendit.

Ai tha se ‘hapat e shpejtë’ që duheshin bërë menjëherë përfshinin gjetjen e vendeve për të jetuar njerëzit, rindërtimin e digës së shkatërruar Kakhovka dhe decentralizimin e rrjetit të energjisë.

“Por në shkallë më të gjerë ne po flasim për shndërrimin e Ukrainës,” shpjegoi ai.

” Ukraina nuk është vetëm energjia, bujqësia dhe komplekset e saj industriale, por duhen edhe reformat.”

Ai foli për ‘dixhitalizimin e Ukrainës’ si dhe për reformat gjyqësore kundër korrupsionit.

Kur u pyet se si dukej fundi i luftës në këtë fazë, ai e bëri të qartë se ‘fitoret në fushën e betejës janë të nevojshme’ dhe se Ukraina nuk do ulej kurrë në tavolinë me asnjë president rus për sa kohë Rusia do mbetej në territorin e Ukrainës.

“Pavarësisht se sa larg do përparojmë në kundërsulmimin tonë, ne nuk do pajtohemi për një konflikt të ngrirë, sepse kjo është luftë, është një zhvillim pa perspektivë për Ukrainën.”

Rusia njoftoi pak ditë më parë se kishte zhvendosur armët taktike bërthamore në Bjellorusi dhe presidenti Joe Biden ka paralajmëruar se kërcënimi i përdorimit të tyre nga Vladimir Putin është i vërtetë.

Kështu që e pyeta zotin Zelensky nëse ai ishte i shqetësuar nga ai kërcënim, tha gazetarja Yalda Hakim.

“Putini ka qenë i rrezikshëm për ne që nga viti 2014 kur ai pushtoi të parin nga territoret tona”, tha ai.

“Ai mund të flasë për përdorimin e armëve bërthamore, nuk mendoj se është i gatshëm ta bëjë këtë sepse është i frikësuar për jetën e tij, e do shumë. Por nuk mund të them me siguri, veçanërisht për një person pa asnjë lidhje me realitetin, i cili në shekullin e 21-të, nisi një luftë në shkallë të gjerë kundër fqinjit.”

Kërkova gjithashtu reagimin e tij ndaj presidentit Putin që tha në një konferencë ndërkombëtare në Shën Petersburg javën e kaluar se ai ishte një turp për popullin hebre. Zelensky humbi shumë nga të afërmit e tij në Holokaust, duke përfshirë gjyshin e tij, dhe ishte e qartë se ai u befasua nga pyetja.

Mori frymë thellë, uli kokën dhe disa sekonda më vonë tha se nuk ishte plotësisht i sigurt se si t’i përgjigjej pyetjes.

“Është sikur ai nuk i kupton plotësisht fjalët e tij. Më falni, por është sikur të jetë mbreti i dytë i antisemitizmit pas Hitlerit. Ky është një president që flet. Një botë e qytetëruar nuk mund të flasë kështu. Por ishte e rëndësishme për mua të dëgjoja reagimin e botës dhe jam mirënjohës për mbështetjen.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e BBC

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani