Vendosni fjalën kyçe....

Policia sekuestron fara kanabisi të mbjella në Krujë, pranga kultivuesit


Policia e Krujës, në kuadër të operacionit “Territori i pastër”, ka sekuestruar 208 fara të dyshuara narkotike kanabis, të mbjella në kubikë, sasi lënde narkotike kanabis dhe një peshore elektronike.

Vihet në pranga autori i dyshuar i kësaj veprimtarie kriminale

 

Njoftimi i policisë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, në vijim të megaoperacionit policor antikanabis “Territor i pastër”, bazuar dhe në inteligjencën informative, se një shtetas do të kultivonte bimë narkotike dhe se në afërsi të banesës së tij, kishte përshtatur ambiente për tharjen e saj, kanë vijuar intensivisht kontrollet dhe kanë finalizuar fazën e 18-të të këtij megaoperacioni.

Në kuadër të kësaj faze u bë arrestimi i shtetasit S. H., 55 vjeç, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit S. H., në fshatin Dukagjin i Ri, Krujë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 208 fara të dyshuara narkotike kanabis, të mbjella në kubikë, sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis dhe një peshore elektronike.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në afërsi të kësaj banese, u konstatuan 3 ambiente të përshtatura për tharje të bimëve narkotike, me pajisje që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Megaoperacioni policor antikanabis i koduar “Territor i pastër”, vijon. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.