Buxheti ka arkëtuar 257.9 miliardë lekë në pesë muajt e parë të këtij viti, me rritje prej 10.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas statistikave të Ministrisë së Financave.
Ritmet e rritjes janë përshpejtuar në raport me 4-mujorin, kur zgjerimi ishte 10.2%. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e përmirësimit të mbledhjes së të ardhurave në maj, ku u arkëtuan 50.8 miliardë lekë, ose 12.3% më shumë se i njëjti muaj i një viti më parë. Në prill zgjerimi kishte qenë minimal prej 5.3% (ecuri reale negative nëse indeksohej me inflacionin dhe rritjen ekonomike).
Tatim fitimi dhe tatimi mbi të ardhurat personale vijojnë të mbajnë peshën kryesore në zgjerimin e të ardhurave buxhetore. Të ardhurat nga tatim fitimi u rritën rekord prej gati 41%, të ndikuara dhe nga tatim fitimi i jashtëzakonshëm për kompanitë e prodhimit të energjisë.
Sipas deklaratës së Ministrisë së Financave, Të ardhurat totale për 5–mujorin e vitit 2023 u realizuan në masën 102% të planit të të njëjtës periudhë.
Shpenzimet e përgjithshme publike, për 5–mujorin e vitit 2023, arritën në rreth 221.7 miliard LEK me një realizim në 90% të planit të të njëjtës periudhë. Krahasuar me vitin 2022, shpenzimet e përgjithshme publike rezultojnë +3.5% më të larta ose rreth +7.6 miliard LEK më shumë.
Niveli i suficitit për periudhën 5–mujore të vitit 2023 rezultoi në rreth 36.2 miliard LEK nga rreth 7 miliard lekë suficit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i suficitit rezultonte në masën prej rreth 19 miliard LEK.
Të Ardhurat
Të ardhurat totale për 5 – mujorin e vitit 2023 u realizuan në masën 257.9 miliardë Lekë ose 102 % të planit të të njëjtës periudhë. Krahasuar me një vit më parë të adhurat janë rritur me +24.5 miliard lekë ose +10.5% më shumë.
Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 224.2 miliardë lekë, 19.5 miliardë ose 9.5% më shumë, krahasuar me vitin 2022, si dhe 8.8 miliardë ose 4.1% më shumë se plani 5-mujor për vitin 2023.
Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 84.1 miliardë lekë, 330 milionë lekë ose 0.4% më shumë se 5 mujori 2022, si dhe 742 milionë lekë ose 0.9 % më pak se plani i të ardhurave doganore për 5 mujorin e vitit 2023.
Të ardhurat nga TVSH në import për 5 mujorin rezultojnë 58.2 miliardë lekë, 1.1 miliardë lekë ose 1.9 % më pak se një vit më parë, si dhe 178 milionë ose 0.3% më shumë se plani për 5 mujorin 2023.
Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 21.1 miliardë lekë, 1.7 miliardë lekë ose 8.5% më shumë se viti 2022, si dhe 617 milionë lekë ose 2.8% më pak se plani i akcizës për 5 mujorin 2023.
Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1.3 miliardë lekë, 569 milionë ose 30.2% më pak krahasuar me vitin e kaluar dhe realizim në masën 67.2% kundrejt planit.
Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 3.5 miliardë lekë, 359 milionë lekë ose 11.5% më shumë se 5 mujori 2022, si dhe realizim në masën 110.8% kundrejt planit.
Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 5 mujorin 2023 u realizuan në masën 140.1 miliardë lekë, 19.1 miliardë ose 15.8% më shumë se 5 mujori i vitit të kaluar, si dhe 9.5 miliardë lekë, ose 7.3% më shumë se plani i 5 mujorit 2023.
Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 18.6 miliardë lekë, 2 miliardë ose 12% më shumë se 5 mujori 2022, si dhe 196 milionë ose 1.1% më shumë se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 5 mujorin 2023.
Rimbursimet për periudhën 5 mujore 2023 janë 7.6 miliardë lekë, 2 miliardë lekë ose 35.6% më shumë se 5 mujori 2022, si dhe 664 milionë lekë ose 9.6% më shumë se plani i rimbursimit të TVSH-së për 5 mujorin 2023.
Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 29.3 miliardë lekë 8.5 miliardë lekë, ose 40.9% më shumë se 5 mujori 2022, si dhe 7.2 miliardë lekë ose 32.7% më shumë se plani i vitit 2023 për Tatimin mbi Fitimin.
Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 22.8 miliardë lekë, 4.5 milardë lekë ose 24.8% më shumë se 5 mujori 2023, si dhe 2.6 miliardë ose 12.8% më shumë se plani i 5 mujorit 2023.
Taksat nacionale, për peridhën 5 mujore 2023 u realizuan në masën 14.3 miliardë lekë, 3.1 miliardë lekë ose 17.6% më pak se 5 mujori 2022, si dhe 4.5 miliardë lekë ose 23.7% më pak se plani i përcaktuar për 5 mujorin 2023.
Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 55 miliardë lekë, 7.2 miliardë lekë ose 15% më shumë se 5 mujori 2022, si dhe realizim 107.8 % të planit për 5 mujorin 2023.
Shpenzimet
Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën pesë mujore të vitit 2023, arritën në rreth 221.7 miliard LEK me një realizim në masën 90 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022 ky zë ka rezultuar 3.5 përqind më i lartë ose rreth 7.6 miliard LEK më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për periudhën 5 mujore të vitit 2023 u realizuan në masën 31.8 përqind të planit vjetor.
Shpenzimet korente dhe ato kapitale, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 94.4 përqind dhe 76.7 përqind të planit të periudhës. Ndërkohë që, në terma vjetorë ato janë realizuar përkatësisht në 36.2 përqind dhe 19.1 përqind të tij
Shpenzimet korente për periudhën 5 mujore të vitit 2023 rezultuan në rreth 198 miliard LEK, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 8 përqind më i lartë ose rreth 14.7 miliard LEK më shumë.
Shpenzimet kapitale për periudhën 5 mujore të vitit 2023 paraqesin një realizim në masën rreth 23.6 miliard LEK. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, ky zë rezulton 2.8 përqind më i lartë ose 648 milion LEK më shumë.
Niveli i sufiçitit për periudhën 5 mujore të vitit 2023 rezultoi në rreth 36.2 miliard LEK nga rreth 7 miliard LEK suficit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë niveli i suficitit ka rezultuar 87.5 përqind më i lartë ose rreth 16.9 miliard LEK më shumë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor