Vendosni fjalën kyçe....

AKEP: Nuk ka pengesa ligjore për operatorët celularë virtualë


Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka arritur në përfundimin se kuadri ligjor dhe rregullator për komunikimet elektronike nuk përmban pengesa për autorizimin e aktivitetit të operatorëve celularë të rrjeteve virtuale ose MVNO (Mobile Virtual Network Operators).

Në raportin vjetor të vitit 2022, AKEP ka shprehur qëndrimin e saj lidhur me rekomandimin e dhënë nga Autoriteti i Konkurrencës qysh në vitin 2019, mbi hartimin e një rregulloreje ku të përcaktohen procedurat për licencimin e operatorëve të rinj MVNO.

AKEP shprehet se ligji “Për komunikimet elektronike” dhe rregulloret ekzistuese nuk paraqesin asnjë pengesë që operatorët MVNO të ofrojnë shërbime duke përdorur rrjetin e një operatori celular, shërbime të cilat përfshijnë telefoni të lëvizshme, internet, transmetim të dhënash, etj.

AKEP ka marrë dy kërkesa për autorizime si operatorë MVNO qysh në vitin 2018, por qysh atëherë ky proces nuk ka avancuar, për shkak se AKEP kishte kërkuar kohë për të analizuar nëse kuadri ekzistues ligjor dhe rregullator krijonte hapësira për të autorizimin e këtyre operatorëve. Më në fund, vitin e kaluar AKEP ka arritur në konkluzionin se ligjërisht nuk ekzistojnë pengesa për licencimin e operatorëve.

Shqipëria është një nga vendet e pakta në Europë ku nuk ekzistojnë ende operatorë celularë MVNO (Mobile Virtual Network Operators). Operatorët virtualë janë kompani që nuk kanë një infrastrukturë rrjeti të tyre, por shfrytëzojnë me marrëveshje rrjetin e operatorëve ekzistues të rrjeteve celulare (MNO).

Operatorët MVNO janë të pranishëm në shumicën e tregjeve të telekomunikacioneve në Europë dhe në disa raste pjesa e tregut të tyre operatorëve arrin deri në 15%. Modeli i biznesit të operatorëve MVNO mund të jetë i ndryshëm.

Disa prej tyre janë pak më shumë se rishitës të shërbimeve të operatorëve të rrjeteve celulare (MNO), duke i tregtuar këto shërbime me markën e tyre dhe duke ndjekur strategji të veçanta marketingu.

Por, ka edhe operatorë MVNO që zotërojnë një infrastrukturë teknike mbështetëse, që iu mundëson t’u krijojnë vlerë të shtuar shërbimeve të ofruara përmes rrjetit të MNO-ve.

Në vitin 2018, në AKEP u paraqitën për herë të parë kërkesa zyrtare për marrjen e autorizimit për ofrimin e shërbimeve si MVNO. Në atë rast, dy operatorët e interesuar për të ofruar shërbime virtuale të telefonisë celulare ishin Neofone dhe Digicom.

Neofone është një operator me aktivitet sidomos në shërbimet për bizneset, si për shembull tranzimit i thirrjeve, instalimi i sistemeve të komunikimit satelitor apo sisteme telefonike për biznese call center, por që ka autorizime edhe për shërbime telefonie dhe interneti me pakicë.

Ndërsa Digicom është një operator i ofrimit të shërbimeve broadband me linja fikse, që prej vitit 2019 është blerë nga operatori kombëtar i rrjetit të fibrës optike, ATU.

Licencimi i operatorëve virtualë do të ishte një risi e rëndësishme në tregun e komunikimeve celulare në vend. Prej fillimit të këtij viti, numri i operatorëve celularë është reduktuar në dy, pas bashkimit mes operatorëve ONE dhe Albtelecom, që u blenë nga grupi hungarez 4iG.

Tregu është rikthyer pas 15 vitesh në një strukturë duopol dhe ulja e numrit të operatorëve teorikisht krijon shqetësime të lidhura me konkurrencën dhe me interesin konsumator.

Duke qenë se tregu tashmë ka arritur një fazë maturimi, në këtë moment ka shumë pak të ngjarë që të ketë interes nga investitorë të rinj për të hyrë në treg duke ngritur rrjetet e tyre, sepse kjo do të kërkonte një investim shumë të madh, ndërkohë që përmasa e tregut është e vogël.

Në këto kushte, operatorët MVNO shihen si e vetmja mundësi reale për të shtuar numrin e operatorëve konkurrencën në tregun e shërbimeve celulare me pakicë. /E.Shehu

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor