Prej datës 21 qershor në Krakovë dhe Malopolska të Polonisë po zhvillohet edicioni i tretë i Lojërave Europiane, eveniment sportiv në të cilin merr pjesë edhe Shqipëria, e cila përfaqësohet më 11 sportistë, ndërsa 29 sportistë të tjerë konkurruan në Europianin Ekipor të Atletikës në Korzov.
Ndërkohë kombëtarja kuqezi ka arritur që të fitojë edhe medaljen e parë në Lojërat Europiane, sukses ky që vjen me sportin e karatesë dhe mban firmën e Alvin Karaqit.
30-vjeçari ia doli të ngjitej sot në shkallën më të lartë të podiumit, duke realizuar paraqitje fantastike në kategorinë e peshave -84 kg, për t’u shpallur kampion. Në ndeshjen e parë, Karaqi mposhti me rezultatin 2-0 kroatin Enes Gariboviç. Në sfidën e dytë u mund nga polaku Mikal Babos me rezultatin 5-3. Në duelin e tretë, karateisti shqiptar mundi grekun Kostandinos Mastrojanis 1-0, duke siguruar gjysmëfinalen dhe automatikisht zonën e medaljeve. Një triumf mjaft i bukur nga Karaqi, i cili pas fitores nuk mundi që t’i përballonte dot emocionet, duke shpërthyer në lot gëzimi. Por Karaqi nuk u mjaftua vetëm me bronzin, pasi realizoi një tjetër paraqitje të shkëlqyer duke mposhtur edhe italianin Mikele Martina në gjysmëfinale me rezultatin 3-2.
Në orët e pasdites karateisti ynë kishte finalen kundër holandezit Brian Simon Hen Timmermans, duke zhvilluar një paraqitje të madhe. Pas një dueli shumë të bukur, Karaqi fitoi me rezultatin 3-2 duke bërë të tijën medaljen e artë. Një sukses i madh për vetë sportistin nga Kosova dhe Shqipërinë. Kujtojmë se Alvin Karaqi prej 3 vitesh mbron ngjyrat e flamurit të Shqipërisë, pasi më parë ka përfaqësuar Kosovën./Panoramasport