Vendosni fjalën kyçe....

Asgjësohen 233 rrënjë kanabis në Dibër, arrestohet 62-vjeçari


Policia ka asgjësuar 233 bimë narkotike cannabis sativa, që u gjetën të kultivuara në një zonë të pyllëzuar në fshatin Bufull në Selishtë në rrethin e Dibrës

62-vjeçari, autori i dyshuar i kultivimit të këtyre bimëve, u kap duke vaditur në parcelën që kishte kultivuar bimët.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, bazuar në inteligjencë informative dhe si rezultat i zbatimit të planit operacional të koduar “Kreshta të pastra”, për kontrollin e imtësishëm dhe të pandërprerë të territorit me qëllim parandalimin dhe goditjen e tentativave për të kultivuar bimë narkotike, kanë konstatuar të kultivuara në një zonë të pyllëzuar të fshatit Bufull, në Selishtë, 233 bimë narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.

Si rezultat i monitorimit të zonës me dron dhe rrethimit të parcelës me punonjës policie u kap duke vaditur bimët shtetasi A.B, 62 vjeç, banues në Selishtë, autori i dyshuar i kultivimit të këtyre bimëve. 62-vjeçari është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”.

Operacioni policor antikanabis i koduar “Kreshta të pastra”, vijon.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme”-njofton policia.