Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se është shumë i alarmuar nga situata e re në veri të Kosovës, të premten. Ai është ankuar për “arrestime të jashtëligjshme të serbëve në Kosovë” e “marshimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës” në Mitrovicën e Jugut.
“Shumë i alarmuar rreth situatës në veri të Kosovës: Arrestime të jashtë juridiksionit të serbëve të Kosovës dhe marshimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicën e Jugut; pasuar nga retorika e ashpër e Serbisë. Pavarësisht takimit të krizës dje, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet më i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë këtë”, ka shkruar ai në Twitter.
Të premten në veri, Policia e Kosovës arrestoi një serb nën dyshimin për përfshirje në sulm e rrezikim të anëtarëve të KFOR-it më herët gjatë protestave.
Nga FSK-ja është njoftuar se marshimi është realizuar në përputhje me planin mujor të trajnimeve dhe se për mbajtjen e tij është informuar komandanti i Batalionit të KFOR-it me bazë në Maxhunaj.
Një ditë më parë, Borrelli priti në takime të ndara kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimet përfunduan pa rezultat. Në konferencën për media pas takimeve, Borrelli ka thënë se pati “pajtim për nevojën për zgjedhje të reja”.
Edhe në këtë konferencë, Borrelli ka kërkuar “hetim të detajuar” për trajtimin e serbëve të arrestuar, ndërsa kërkoi lirimin e tre policëve të Kosovës, që po mbahen në Serbi./KOHA