Policia ka arrestuar një 55-vjeçar në Tale të Lezhës pasi konstatoi se kishte ndërtuar një objekt dykatësh me qëllim akomodimi pa lejen e organeve kompetente.
Shtetasi N.Gj akuzohet për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë kanë intensifikuar kontrollet në zbatim të planit të posaçëm të masave, të hartuar dhe të prezantuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për parandalimin dhe konstatimin e ndërtimeve pa leje dhe të krimeve të tjera kundër mjedisit, me fokus zonat bregdetare.
Si rezultat, në plazhin e Tales, është konstatuar një objekt dykatësh, me dhoma për akomodimin e pushuesve, në pronësi të shtetasit N. Gj., objekt i ndërtuar pa lejen e organeve kompetente.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u vu në pranga shtetasi N. Gj., 55 vjeç, banues në Tale, Lezhë, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Kontrollet dhe verifikimet për konstatimin e ndërtimeve pa leje dhe veprave të tjera penale kundër mjedisit, vijojnë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme”-njofton policia.