Vendosni fjalën kyçe....

Tre ish nxënësit e shkollës në Shëmri të Kukësit investojnë në laboratorin e teknologjisë dhe bibliotekën


Tre të rinj kanë dhënë kontributin e tyre për shkollën e mesme në fshatin Shëmri të Kukësit duke e pasuruar atë me kompjuterë dhe pajisje përlaboratorin e Teknologjisë së Informacionit dhe libra dhe pajisje arresduese për bibliotekën.

Dy të rinj, njëri ish nxënës të kësaj shkolle dhe tjetri, djali i një prej ish mësuesve i janë bashkuar nismës dhe më tej edhe Shtëpia Botuese “Toena”, e cila dhuron një listë të gjatë me tituj librash jashtëshkollorë, të vlefshme për nxënësit e shkollës së mesme.

Arben Shpata, i cili jeton dhe drejton një sipërmarrje në Romë, është ish nxënës i kësaj shkollë. Ai thotë se ndihet i keqardhur për numrin e reduktuar të nxënëseve.

“Në vitet tona të studimit, shkolla gumëzhinte nga fëmijët dhe të rinjtë e shumtë. Sot të rinjtë e mbetur në komunën Malzi, në Kukës, janë shumë pak. Do të doja të shikoja investime të reja, private dhe publike. Do të doja të rimerrte gjallërinë e merituar kjo zonë e pasuri me burime natyrore, traditë dhe me njerëz më zemër të bardhë. Përsa i përket kësaj shkolle, mbështetja jonë për nxënësit vetëm sa ka filluar.

Zekri Picari, sipërmarrës i ri në SHBA, tregon se, “iu bashkua pa hezitim nismës së Albana Mucaj, për të kontribuar në këtë shkollë. Ajo është shkolla ku babai im ka dhënë mësim dhe jam shumë i lumtur që Albana më bëri pjesë të kësaj nisme të vogël, por me zemër shumë të madhe”.

Albana Mucaj, e cila ndërmori këtë nisme, tregon se u impresionua nga përgjigjia pozitive dhe e menjëhershme e miqve dhe të njohurve të saj. “Ende pa përfunduar bisedën ata u përgjigjën pozitivsht. E njëjta gjë ndodhi me edhe me miken time Irena Tocci, e cila vuri në dispozicion në sasi librash”. Albana kujton se lidhja me këtë shkollë është më e fortë se ajo e nxënësit me shkollën, pasi babai i saj i ndjerë ishte nëndrejtor i shkollës për disa vite, në fillim të viteve ’90.