Kreu i grupit paraushtarak Wagner hodhi poshtë të shtunën akuzën e presidentit rus Vladimir Putin për ‘tradhti’.
“Me akuzën për tradhti ndaj atdheut, presidenti Putin gaboi thellë. Ne jemi patriotë të atdheut. Ne luftuam dhe po luftojmë, të gjithë luftëtarët e Wagner dhe askush nuk do dorëzohet me kërkesë të presidentit, FSB-së apo dikujt tjetër”, tha Yevgeny Prigozhin në një mesazh audio në Telegram.
Prigozhin tha më tej se ata nuk do dorëzohen sepse nuk duan që vendi ‘të jetojë në korrupsion, në mashtrim dhe në burokraci”.
“Kur luftuam në Afrikë, na thanë se na duhet Afrika…Kur na thanë se ishim në luftë me Ukrainën, ne shkuam dhe luftuam. Por doli që municionet, armët, të gjitha paratë janë vjedhur dhe zyrtarët po i ruajnë për vete, vetëm për rastin që erdhi sot kur dikush shkon në Moskë”, tha ai.
Ai më vonë akuzoi ushtrinë ruse për shënjestrimin e zonave të përqendruara me civilë, sepse ‘ata nuk mund të godasin objektivin dhe godasin kudo’.
“Prandaj, ne jemi patriotë dhe ata që na kundërshtojnë sot janë ata që janë mbledhur rreth llumrave,” shtoi ai.
Putin e akuzoi Prigozhin për tradhti në një fjalim kombëtar të shtunën, pasi forcat e grupit paraushtarak kaluan kufirin nga rajonet e kontrolluara nga Rusia të Ukrainës në Rusi, duke hyrë në qytetin e Rostov-on-Don.
Prigozhin, në muajt e fundit, ka akuzuar vazhdimisht Rusinë se nuk furnizon me armë të mjaftueshme grupin paraushtarak që ka luftuar përkrah ushtrisë ruse në Ukrainë.