Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, njoftoi të shtunën se kishte arritur një marrëveshje sipas së cilës udhëheqësi i grupit Wagner, Evgeny Prigozhin do braktiste kryengritjen e tij në këmbim të ‘garancive të sigurisë’ për luftëtarët e tij.
“Evgeny Prigozhin pranoi propozimin e Presidentit Aleksandër Lukashenko për të ndaluar lëvizjen e njerëzve të armatosur të Wagner në Rusi dhe për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për uljen e tensionit”, thuhet në një deklaratë nga zyra e Lukashenkos.
Sipas deklaratës, Lukashenko dhe Prigozhin zhvilluan bisedime ‘gjithë ditën’ dhe ‘arritën në një marrëveshje për papranueshmërinë e një gjakderdhjeje në territorin e Rusisë’.
Zyra e Lukashenkos tha se bisedimet u zhvilluan në bashkërendim me presidentin rus Vladimir Putin, duke shtuar se Prigozhinit iu ofrua ‘një mundësi e favorshme dhe i pranueshme për zgjidhjen e krizës, me garanci sigurie për luftëtarët e Wagner’.
Lajmi erdhi ndërsa një kolonë Wagner po i afrohej Moskës, disa orë pasi anëtarët e grupit ushtarak privat kaluan nëpër qytetin jugor të Rostov-on-Don.
Në një seri deklaratash video të lëshuara që nga e premtja, Prigozhin deklaroi se po përparonte drejt Moskës për t’u përballur me zyrtarët ushtarakë rusë që ai i konsideronte të korruptuar.
Prigozhin nuk mori mbështetje nga establishmenti rus. Në vend të kësaj, Putin akuzoi shefin e Ëagner për ‘goditje me thikë pas shpine ndaj vendit tonë dhe popullit tonë’, ndërsa Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB) hapi një hetim penal ndaj Prigozhin për ‘thirrjen për rebelim të armatosur’.
Menjëherë pas njoftimit të Lukashenkos, Prigozhin konfirmoi se trupat e tij po braktisnin shtytjen për në Moskë dhe po ktheheshin në kampet e tyre fushore.