Vendosni fjalën kyçe....

“Prigozhin do shkojë në Bjellorusi” – Kremlini zbulon hollësitë e marrëveshjes me Wagner


Çështja penale, e nisur këtë fundjavë, kundër themeluesit të kompanisë private ushtarake Wagner, Evgeniy Prigozhin, do pushohet dhe ai do largohet nga Rusia, njoftoi Kremlini të shtunën në mbrëmje.

Zëdhënësi Dmitry Peskov zbuloi se Prigozhin, një manjat i Shën Petersburgut që bëri pasurinë e tij fillestare në shërbimet katering, ‘do shkojë në Bjellorusi’.

Ai shtoi se luftëtarët e Wagner nuk do persekutohen, duke marrë parasysh përpjekjet e tyre në vijën e parë të konfliktit në Ukrainë. Peskov shpjegoi se ekipi i presidentit Vladimir Putin ‘gjithmonë i ka respektuar bëmat e tyre’.

Ata kontraktorë PMC, të cilët kundërshtuan të merrnin pjesë në përpjekjen për grusht shteti do lejohen të nënshkruajnë kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes, tha Peskov.

Grupi PMC nisi një rebelim të madh brenda natës, duke marrë kontrollin e selisë së Qarkut Ushtarak Jugor të Rusisë në qytetin e Rostov-on-Don, si dhe duke përparuar drejt Moskës.

Kryengritja u ndal të shtunën vonë, pas bisedimeve midis Prigozhin dhe presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko, me kreun e Wagner që ra dakord të kthente njësitë e tij në ‘kampet fushore’.