Policia e Lezhës në kuadër të operacioneve anti-kanabis ka arrestuar tre persona.
Dy u arrestuan pasi dyshohet se janë autorë të kultivimit të 1664 fidanëve kanabis në “Bjeshkët e Xhuxhës” në Mirditë në fazën e 18 të operacionit ndërsa një tjetër u arrestua për rastin e kultivimit të kapur në fazën e tetë të operacionit “Imazhi”.
“Në kuadër të fazës së 18-të të këtij megaoperacioni, gjatë kontrolleve në zonën e quajtur “Bjeshkët e Xhuxhës”, njësia administrative Fan, shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Mirditë, gjetën në kubikë, gati për t’u kultivuar në tokë, 1664 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, të cilët pas kryerjes së veprimeve procedurale, u asgjësuan nëpërmjet djegies. Falë veprime të shpejta hetimore, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasve B. H., 55 vjeç, banues në Kurbin dhe I. C. 32 vjeç, banues në Krujë, të dyshuar si autorë të kultivimit të fidanëve në kubikë.
Ndërkohë strukturat hetimore vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar të kultivimit të fidanëve dhe bimëve të asgjësuara nga policia gjatë fazave të zhvilluara më parë të këtij megaoperacioni policor.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga struktura hetimore e Komisariatit të Policisë Lezhë, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit A. K., 39 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet se është autor i kultivimit të 233 bimëve narkotike që u gjetën në malin e Shëngjinit dhe u asgjësuan në kuadër të fazës së 8-të të megaoperacionit, fazë e cila është zhvilluar më datë 31 maj 2023.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme”-njofton policia.