Policia turke arrestoi të paktën 50 persona të dielën pasi komuniteti LGBT i Stambollit mbajti marshimin e tij vjetor të Krenarisë.
Qeveria e udhëhequr nga presidenti Erdogan dhe Partia e tij AK me rrënjë islamike ka ashpërsuar qëndrimin e saj ndaj lirive LGBTQ+. Duke folur pas fitores së tij zgjedhore në balotazhin e muajit të kaluar, Erdogan akuzoi partitë opozitare se ishin ‘pro-LGBT’.
Të dielën, policia pengoi hyrjen në ‘Avenue Istiklal’, vendi tradicional i marshimeve të Krenarisë, si dhe në sheshin qendror Taksim. Rrugët aty pranë u bllokuan dhe transporti publik në zonë u pezullua, shkruan Reuters.
Të dielën pasdite, qindra njerëz që mbanin flamuj me ylber dhe transgjinorë u mblodhën në parkun Mistik në lagjen Sisli.
Ata brohorisnin parulla ndërsa organizatorët lexonin një deklaratë për të shënuar javën e Krenarisë. Një flamur i madh ylber ishte varur në një parking shumëkatësh aty pranë.
Grupe njerëzish që mbanin flamuj me ylber marshuan në rrugët e lagjes Sisli përpara se organizatorët t’i bënin thirrje të shpërndaheshin.
Policia mbajti më shumë se 50 persona pas marshimit, thanë organizatorët. Zyra e Amnesty International në Turqi tha se të paktën një person pësoi lëndime në kokë ndërsa u ndalua nga policia.
Organizatorët thanë se komuniteti i tyre tashmë ishte shënjestruar nga Erdogan.
“Ne nuk e pranojmë këtë politikë të urrejtjes dhe mohimit,” tha në deklaratën e tyre Java LGBTI+ e Stambollit.
Në qytetin bregdetar të Izmirit, i treti më i madhi i vendit, policia arrestoi të paktën 44 persona të dielën pasi autoritetet ndaluan marshimin e Krenarisë, tha LGBTI+ Pride Ëeek e Stambollit.
Homoseksualiteti nuk është një krim në Turqi, por armiqësia ndaj tij është e përhapur dhe goditjet e policisë ndaj paradave të Krenarisë janë bërë më të ashpra gjatë viteve.
Guvernatori i Stambollit Davut Gul tha në Twitter këtë muaj se çdo aktivitet që kërcënon strukturën tradicionale të familjes nuk do të lejohet.