Vendosni fjalën kyçe....

Putin ‘vulos’ fatin e Wagner


Presidenti rus Vladimir Putin u ka ofruar një zgjedhje ushtarëve të kompanisë ushtarake private Wagner të përfshirë në rebelimin e armatosur të dështuar të së shtunës.

Ata mund të nënshkruajnë një kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë ose agjenci të tjera të sigurisë, të kthehen në shtëpi ose të transferohen në Bjellorusinë fqinje, tha udhëheqësi rus në një fjalim televiziv.

“Shumica dërrmuese e luftëtarëve dhe komandantëve të grupit Wagner janë gjithashtu patriotë rusë, të përkushtuar ndaj popullit dhe vendit të tyre. Ata e dëshmuan këtë me guximin e tyre në fushën e betejës,” tha Putin në fjalimin e tij të hënën në mbrëmje.

Organizatorët e kryengritjes ‘i mbajtën në errësirë ​​dhe u përpoqën t’i përdorin kundër vëllezërve të tyre në armë, me të cilët luftuan krah për krah për hir të vendit dhe të ardhmes së tij,’ tha ai.

Udhëheqësi rus falënderoi ushtarët dhe komandantët e Wagner-it, të cilët ‘ndaluan në vijën e fundit’ dhe nuk lejuan të ndodhte ‘gjakderdhja vëllavrasëse’. Ai shtoi se premtimi që ka dhënë gjatë negociatave për zgjidhjen e krizës do mbahet.

“Ju keni mundësinë të nënshkruani një kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese ose të ktheheni te familja dhe miqtë tuaj. Kushdo që dëshiron, mund të shkojë në Bjellorusi”, tha Putin, duke iu drejtuar anëtarëve të kompanisë private ushtarake.

Wagner filloi një kryengritje të madhe të premten vonë me urdhër të kreut të saj, biznesmenit Evgeny Prigozhin. Trupat rebele morën kontrollin e selisë së distriktit jugor të ushtrisë ruse në qytetin e Rostov-on-Don dhe dërguan një kolonë drejt Moskës.

Revolta u ndal të shtunën mbrëma pasi Prigozhin njoftoi se njerëzit e tij do ktheheshin në kampet e tyre fushore pas bisedimeve me presidentin bjellorus Alexander Lukashenko. Sipas Minskut, negociatat u zhvilluan në bashkërendim të ngushtë me Putinin.

Prigozhin, i cili tha se ai nisi kryengritjen sepse ‘Ministria e Mbrojtjes donte të shpërndante grupin Wagner’, do largohet nga Rusia dhe do shkojë në Bjellorusi si rezultat i marrëveshjes, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Çështja penale kundër Prigozhin do pushohet, me luftëtarët e Wagner, të cilët morën pjesë në kryengritje, që do i shmangen gjithashtu ndjekjes penale, shtoi ai.