Qytetarë serbë u mblodhën në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë, ku u paraqit një dokument i quajtur “Deklarata e Vidovdanit”.
Në deklaratën, që e lexuan zyrtarë të partisë më të madhe serbe në Kosovë – Lista Serbe – thuhet se komuniteti serb në Kosovë është “i ekspozuar ndaj dhunës”.
Si shembull i kësaj përmendet, mes tjerash, arrestimi i disa qytetarëve serbë, të cilët autoritetet në Kosovë i akuzojnë për “shkelje të rendit kushtetues”, si dhe për sulme ndaj misionit të NATO-s, KFOR, policisë dhe gazetarëve.
Në “Deklaratën e Vidovdanit” thuhet po ashtu se, nëse Prishtina vazhdon me aktivitetet dhe arrestimet e saj, serbët në Kosovë do të detyrohen t’u përgjigjen “të gjithë atyre që na dëshirojnë të keqen, që ëndërrojnë luftën në vend të paqes”.
“Ne do të jemi të bashkuar në luftën tonë të drejtë për të qëndruar dhe mbijetuar në këto zona dhe për të mbrojtur shtëpitë dhe familjet tona”, thuhet në dokument.
Në tubimin në Graçanicë foli kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dallibor Jevtiç, i cili i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që “t’i mbrojë serbët nga autoritetet e Kosovës”, por nuk specifikoi se për çfarë rreziku potencial bëhet fjalë.
“Ne nuk kemi problem me popullin shqiptar, ne kemi problem me një njeri, kemi problem me [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurti dhe regjimin e tij”, tha Jevtiç.
Dragisha Milloviç, ish-kryetar i komunës së Zveçanit, foli në tubimin në Mitrovicë të Veriut, ku tha se serbët e Kosovës jetojnë në “kushte dramatikisht të vështira”, por se ata duan që kriza në veri të zgjidhet në mënyrë paqësore.
“Fakti që policët e Kosovës janë liruar, është shenjë se Serbia dëshiron ta zgjidhë këtë krizë në mënyrë paqësore. Është një shenjë dhe një gjest i mirë që shkon në drejtim të shtensionimit. Është një gjest i vullnetit të mirë. Ashtu siç u liruan ata për t’u mbrojtur nga liria, të njëjtën gjë e duam edhe për vëllezërit tanë të arrestuar, që edhe ata të mbrohen nga liria”, tha Milloviç.
Në “Deklaratën e Vidovdanit” përmendet edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilin është rënë dakord në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd dhe i cili duhet t’u sigurojë autonomi më të madhe serbëve në Kosovë.
“Ka ardhur koha që të zbardhet e vërteta dhe të thuhet qartë në këtë Vidovdan: a do të kemi Asociacion? Ndryshe, e dimë çfarë të bëjmë”, thekson deklarata, pa specifikuar më shumë./REL