Vendosni fjalën kyçe....

Akuzohet se pagoi 80 mijë euro për të vrarë Aredin Beharit, Albert Pashaj mohon akuzat


Albert Pashaj ka mohuar akuzat ndaj tij si porositës i vrasjes së Aredin Beharit. Pashaj u arrestua dy ditë më parë me urdhër të SPAK pasi akuzohet se i ka paguar 80 mijë euro Henrik Hoxhajt për ekzekutimin e Beharit në dy atentate në vitet 2017 e 2019. Edhe pse pohoi se e njeh Hoxhajn, Pashaj ka theksuar se nuk i ka dhënë asnjë porosi.

Behari u ka shpëtuar dy atentateve ndërsa dyshohet se çështja ka të bëjë me një konflikt pronësie me Pashajn për tregtimin e naftës. I penduari i drejtësisë Henrik Hoxhaj ka fundosur të arrestuarin Pashaj, duke pohuar se ai e ka porositur të vrasë Beharin për të kryer vrasjen.

Sipas SPAK-ut, Aredin Behari, ka pasur probleme me vëllezërit Ardian e Albert Pashaj pasi pretendonin se nuk u kishte shlyer një borxh të vjetër.

Për shkak të presioneve të vazhdueshme, Behari i dha rreth 40% të aksioneve të kompanisë  së tregtimit të naftës Albert Pashajit. Por sërish ata pretendonin se ai kishte pa shlyer shuma të tjera monetare dhe për këtë i morën një banesë  në qytetin e Fierit.

Këtë pasuri Behari e fitoi nëpërmjet proceseve  gjyqësore, pasi gjykata e Apelit në Vlorë  i njohu atij pronësinë. Sipas SPAK, gjatë kësaj kohe Albert Pashaj pa dijeninë e vëllait tjetër Ardjanit, i ofroi  Henrik Hoxhajn dhe Skerdi Tasin 80 mijë euro për të ekzekutuar Aredin Beharin. Pas dy atentateve të dështuara, Hoxhaj e Tase i kanë kthyer shumën e parave Pashajt.