Për më shumë se një vit, që prej marsit 2022, çmimet tavan të karburanteve u vendosën nga Bordi i Transparencës, një mekanizëm i krijuar nga qeveria për të kontrolluar çmimet pas krizës që u shkaktuan në këtë treg nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës.
Operatorët u shprehën kundër këtij Bordi, duke pohuar se cenon parimet e ekonomisë së tregut dhe nuk u mundësonte kompanive që të optimizonin blerjet në tregjet ndërkombëtare, çka do bënte që ata të furnizoheshin kur tregu ishte më lirë. Kjo sipas tyre do mundësonte çmime rreth 5% më të lira sesa ato që vendos Bordi.
Bordi u shfuqizua në datën 7 qershor, ndërsa vendimi i tij i fundit i përket datës 26 maj, ku çmimi tavan i tregtimit me pakicë të naftës ishte 176 lekë, dhe i benzinës 179 lekë.
Kur kanë kaluar tre javë nga shfuqizimi i bordit, çmimet e tregtimit me pakicë të karburanteve vijojnë të mbeten të pandryshuara. Sipas një vëzhgimi në treg, Kastrati, Gega Oil, Eida, e tregtojnë naftën me 176 lekë dhe benzinë me 179 lekë. Bolv Oil e ka ulur lehtë naftën në 174 lekë. Ndërsa operatorët e vegjël kanë çmime të ndryshime, por më të lira sesa 176 lekë për naftën.
Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve tha se do të duhen të paktën tre muaj që të stabilizohet tregu, pas ndërhyrjes së Bordit.
Ndërkohë, sipas tyre, çmimet sot janë në minimum. Rreth 120 lekë janë taksa, (më të lartat në rajon) ndërsa në çmim rëndojnë dhe taksat e tjera si makrimi, skanimi, kalibrimi. Edhe kostot e aktivitetit janë shtuar për shkak të presionit për rritjen e pagave.
Në bursat ndërkombëtare, në datën 25 maj, treguesi referencë i Platts ishte 690 dollarë për ton (pa premio). Edhe në 12 qershor treguesi ishte 691 dollarë për ton, ndërsa në 22 qershor (data e fundit kur jepet e dhëna nga Buletini) ishte 731 dollarë/ton.
Në anën tjetër, kursi i këmbimit ka qenë i favorshëm. Dollari, monedha më të cilën tregtohet karburanti, ka zbritur aktualisht në 97.5 lekë, nga 103 lekë që ishte në 26 maj, ditën e fundit kur Bordi fiksoi çmimin e naftës dhe benzinës përpara shkrirjes.
Sipas Global Petrol Price, deri në datën 19 qershor, kur janë të disponueshme të dhënat, Shqipëria renditej ndër 30 më të shtrenjtat në botë për naftën dhe më e shtrenjta në rajon.
Mali i Zi, i dyti më i shtrenjti në rajon pas Shqipërisë e kishte naftën 8.3% më lirë sesa në Shqipëri, ndërsa në Maqedoninë e Veriut është 22% më e lirë. Sipas operatorëve, diferenca në çmim lidhet me barrën e lartë të taksave në raport me shtetet e tjera.
VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor