Meksika mund t’ia dorëzojë kontrollin e aeroportit kryesor të kryeqytetit – më i ngarkuari në vend – marinës së saj, sipas një projektdekreti të botuar të martën, në atë që do të ishte hapi i fundit për rritjen e rolin e ushtrisë në këtë sektor.
Presidenti Andres Manuel Lopez Obrador ka mbrojtur përfshirjen e forcave të armatosura në aviacion, duke argumentuar se kjo ka pakësuar trafikun e drogës dhe kontrabandën jashtë aeroporteve.
Aeroporti Ndërkombëtar i Mexico City (AICM) aktualisht është nën Ministrinë e Transportit, megjithëse marina tashmë ka marrë përsipër operacionet e sigurisë, përfshirë doganat. Ish-piloti i marinës Carlos Velazquez u emërua si drejtor kryesor i saj vitin e kaluar.
“Ka më shumë siguri, më shumë garanci, rregullat ndiqen më mirë, ka më shumë disiplinë,” u tha Velazquez gazetarëve të marten.
Drafti i dekretit duhet të botohet në gazetën zyrtare të Meksikës për të hyrë në fuqi. Velazquez tha se autoritetet po punonin për të siguruar që AICM, i njohur gjithashtu si ‘Benito Juarez’, do ishte në gjendje të përfitonte nga fondet e krijuara nga taksa e përdorimit të aeroportit.
Paratë aktualisht shkojnë në një fond për të paguar zotëruesit e obligacioneve që financuan ndërtimin e një aeroporti të anuluar nga Lopez Obrador në favor të ndërtimit të aeroportit ‘Felipe Angeles’ në periferi të kryeqytetit.
Aeroporti ‘Felipe Angeles’ pak i përdorur, një vjeçar, një nga projektet më të mëdha të punëve publike të presidentit, është gjithashtu në një bazë ushtarake aktive.
Në maj, AICM transportoi afro 4 milionë pasagjerë, sipas të dhënave nga autoriteti kombëtar i aviacionit, ndërsa numri i pasagjerëve të aeroportit ‘Felipe Angeles’ ishte pothuajse 95% më i ulët.