Vendosni fjalën kyçe....

U kapën me doza kanabisi gati për shitje, arrestohen tre të rinjtë në Durrës


Policia e Durrësit ka arrestuar tre të rinj pasi u kapën me doza kanabisi gati për shitje.

Policia ka sekuestruar lëndën narkotike dhe i akuzon të rinjtë për shitje të kanabisit në lokale në plazhe.

Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve dhe aksioneve të Policisë në zonën bregdetare të qarkut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor antidrogë i koduar “Hundreds 2”.

Në bazë të provave të siguruara, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të kësaj drejtorie, kapën dhe vunë në pranga shtetasit L. B., 18 vjeç, L. Ll., 19 vjeç dhe R. M., 17 vjeç, të tre banues në Durrës.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 3 shtetas bashkëpunonin me njëri-tjetrin, me qëllim sigurimin dhe shitjen në doza, të lëndës narkotike cannabis sativa, në lokale në plazhin e Durrësit. Gjatë kontrolleve, këtyre shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa e ndarë në dhjetëra doza të gatshme për shitje dhe 3 celularë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”-njofton policia.