Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka treguar edhe njëherë përmes një videoje në gjuhën angleze lidhur me propozimin që ka bërë për shtensionimin e situatës në Kosovë, në takimin e fundit në Bruksel.
Ai ka thënë se ka treguar se çfarë është Kosova e gatshme të bëjë dhe çfarë presin nga Serbia në këmbim.
Ka shtuar se Republika e Kosovës është e gatshme të kontribuojë në de-eskalim. Ka shtuar se duhet të ndërmerren veprime urgjente drejt këtij qëllimi dhe janë të etur dhe të gatshëm të angazhohen për hapa konkretë që mbështesin qëllimet e de-eskalimit dhe stabilitetit në rajon.
Ai i ka renditur hapat që i ka paraqitur për shtensionim të situatës;
1) Reduktimi i pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre, gradualisht dhe proporcionalisht me reduktimin e dhunës;
2) Qasja e plotë në proceset gjyqësore të kryesve të dhunës, dhe monitorimi i proceseve, nga ana e EULEX-it dhe OJQ-ve të interesuara të të drejtave të njeriut;
3) Zgjedhje të parakohshme aktivizohen në katër komunat veriore nga një peticion për tërheqje i përkrahur nga të paktën 20 për qind të elektoratit, siç parashihet në legjislacionin e Kosovës. Pas konfirmimit që janë përmbushur kërkesat për tërheqje, data e zgjedhjeve shpallet nga Presidentja;
4) Katër kryetarët e komunave në fjalë do të udhëzohen që t’ua dorëzojnë autoritetin e tyre kryetarëve të rinj të komunave pas certifikimit nga KQZ-ja në përputhje me legjislacionin e Kosovës.
Ndërkohë ka thënë se nga Serbia presin tërheqjen e protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre.
Ka shtuar se presin zotimin për bashkëpunim në paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve nga ana e Kosovës, me monitorim nga ana e EULEX-it dhe garanci të plota për gjykim të drejtë;
“3) Reduktimi i gatishmërisë së forcave të armatosura në nivel të ulët, asnjë lëvizje e re e trupave, heqja e 48 Bazave të Përparme Operative që ndodhen përgjatë kufirit. 4) Serbia të mos pengojë apo ndërhyjë në të drejtën e qytetarëve të përkatësisë serbe të Kosovës dhe të gjitha partive politike për të marrë pjesë lirshëm, pa asnjë frikësim, detyrim apo ndikim korruptiv, në procesin e zgjedhjeve lokale të Kosovës”, ka thënë ai.
Ka shtuar se të dyja palët, Kosova dhe Serbia, duhet të zotohen të respektojnë plotësisht rregullat e Tregut të Përbashkët Rajonal të Procesit të Berlinit dhe pajtueshmërinë me acquis të BE-së për tregtinë e lirë rajonale sipas marrëveshjeve të bëra.
“Si përfundim, ne dëshirojmë të ritheksojmë angazhimin tonë për një dialog intensiv për një zbatim të plotë, të pakushtëzuar, me sekuencë të balancuar e korrekte, të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Implementimit të saj. De-eskalimi i situatës dhe normalizimi i marrëdhënieve është i realizueshëm, keni gatishmërinë dhe vullnetin tim”, ka thënë ai./KOHA