Kreu i Rithemelimit të PD-së Sali Berisha tha sot se raporti për zgjedhjet e 14 majit ka përfunduar e shumë shpejt do u prezantohet shqiptarëve.
Sipas tij, raporti është bazuar në mijëra fakte që dëshmojnë e zgjedhjet e 14 majit ishin farsa më e turshme elektorale pas diktaturës komuniste në Shqipëri e Evropë.
Berisha tha gjithashtu se raporti do paraqesë problematikat e gjetura qark pas qarku dhe se ai bëhet për të ndërgjegjësuar qyterarët në respekt të votës së lirë.
“Dua t’ju informoj se raporti për farsën elektorale është i përfunduar. Shumë shpejt në fillim të javës që vjen ai do paraqitet para jush dhe opinionit publik shqiptar. Është paraqitur dhe vazhdon të paraqitet para opinionit publik ndërkombëtar. Ky raport i bazuar në qindra dhe mijëra fakte dëshmon se më 14 maj u zhvillua farsa më e turpshme elektorale pas diktaturës komuniste në Shqipëri dhe Europë. Ky raport dëshmon se zgjedhjet e majit 2023 ishin një proces totalisht i kontrolluar nga qeveria. Një proces në të cilin shqiptarët votuan në presion si kurrë më parë. Duke qenë në përfundim të këtij raporti se ai do paraqitet javën që vjen para jush si një ekspoze dhe pastaj ka një projekt që do paraqitet qark pas qarku, të gjitha problematikat e mëdha. Qëllimi është vetëm një, ndërgjegjësimi në respekt të votës së lirë i qytetarëve shqiptarë për atë që ndodhi me votën e tyre. Ato rezultate false PD nuk mund t’i njohë kurrë.” – tha Berisha.