Inflacioni në Eurozonë ra për të tretin muaj radhazi në qershor, pasi kostoja e karburantit ra dhe rritja e çmimeve të ushqimeve u ngadalësua.
Të dhënat, të cilat treguan vetëm rënien më të vogël të inflacionit bazë, nuk ka gjasa të ndikojë Bankën Qendrore Europiane, e cila ka rritur për të nëntën herë radhazi, normë për korrikun dhe po synon një rritje tjetër në shtator.
Inflacioni në 20 vendet e Eurozonës, ra në 5.5% këtë muaj, nga 6.1% në maj, një rënie pak më e madhe se sa parashikohej nga ekonomistët. Gjermania ishte i vetmi vend, që raportoi rritje, sipas Eurostat.
Inflacioni “bazë”, duke përjashtuar energjinë dhe ushqimin, të cilin politikëbërësit e BQE-së e shohin si një matës më të mirë të prirjes kryesoer, u ul më poshtë, në 6.8%, nga 6.9% – larg rënies së qëndrueshme, që banka qendrore dëshiron të shohë.
Sipas Eurostat, ushqimet, alkooli dhe duhani pritet të kenë normën më të lartë vjetore të inflacionit në qershor – në 11.7%, nga 12.5% në maj.
Inflacioni i mallrave industriale u zbut në 5.5%, nga 5.8%. Por, inflacioni i sektorit të shërbimeve u rrit në 5.4%, nga 5.0% në maj.
Çmimet e energjisë ranë me një ritëm më të shpejtë se muajin e kaluar, inflacioni i energjisë ra në -5.6%, nga -1.8% në maj.
Shërbimet ishin e vetmja kategori, ku rritja e çmimeve u përshpejtua – në 5.4% nga 5.0% – duke shfaqur qëndrueshmërinë e vazhdueshme të konsumatorëve ndaj kostove më të larta të huamarrjes.
BQE ngriti normat e interesit në nivelin më të lartë në 22 vjet këtë muaj, pasi parashikoi se inflacioni do të qëndronte mbi objektivin prej 2%, deri në fund të 2025. Norma bazë u zhvendos 25 pikë bazë më lart, në 3.5%, ndryshe Rezerva Federale e SHBA, e cila ndaloi rritjet në mbledhjen e fundit.
Banka Qendrore Europiane, rishikoi gjithashtu pritshmëritë totale dhe bazë të inflacionit, për dy vitet e ardhshme, gjatë takimit për normat e interesit. Tani parashikon, që inflacioni të arrijë mesatarisht 5.4% këtë vit, 3% në 2024 dhe 2.2% në 2025.
Shumica e politikëbërësve, e shohin si të mundshme një rritje të mëtejshme në shtator, por ata po kritikohen nga qeveritë në Itali dhe Portugali. / Reuters, CNBC, The Guardian
Në Shqipëri tendenca ishte në rritje në prill, ngushtohet diferenca me Eurozonën
Ndërsa në Eurozonë ttendenca e çmimeve është në rënie të qëndrueshme, në Shqipëri tendenca ishte në rritje, të paktën në maj, kur raportohet e dhëna e fundit nga INSTAT, duke treguar për një ndikim më të fortë të faktorëve të brendshëm në tendencën e çmimeve, në raport me inflacionin e importuar.
Pas gjashtë muajsh radhazi, kur shfaqi shenja ngadalësimi, rritja e çmimeve u përshpejtua sërish në vend në muajin maj, përkundrejt pritshmërive të Bankës së Shqipërisë që treguesi të kishte një ulje graduale përgjatë këtij viti. INSTAT njoftoi se ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Maj 2023 është 4,7%, nga 4.6% muajin e mëparshëm.
Në tetor 2022, kur në Shqipëri, inflacioni, arriti në 8.3%, që ishte niveli më i lartë që nga 1998-a, në Eurozonë në të njëjtën periudhë, në Bashkimin Europian inflacioni arriti në 10.6%, që është niveli më i lartë i të gjitha kohërave. Diferenca në tetor ishte 2.3 pikë përqind. Në maj kjo diferencë ka zbritur në 1.5 pikë përqind, ndërsa nëse vazhdon në këto nivele dhe në qershor, diferenca do të jetë më pak se 1 pikë përqind.
Në pamje të parë, Shqipëria arriti ta përballojë mirë valën e shtrenjtimit të çmimeve, që nisi me shtrembërimet në tregje, që krijoi në fillim pandemia dhe më pas, sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës.
Në fakt, ajo që e “shpëtoi” vendin në valën e parë ishte mosndryshimi i tarifave të energjisë, teksa e gjithë Europa u përball me shtrenjtim të saj, sidomos të gazit.
Në tetor, shtrenjtimi i energjisë kontribuoi në mbi 40% të rritjes së inflacionit në vendet e Bashkimit Europian. Ndërsa struktura e burimeve energjetike që përdor Shqipëria favorizoi frenimin e rritjes së çmimit.
Ulja e energjisë ka “qetësuar” inflacionin në Eurozonë, ndërsa në Shqipëri po ulet më ngadalë për shkak të efektit të produkteve ushqimore. Sipas INTAT, në maj ndikimin kryesor në shtimin e presioneve inflacioniste e ka dhënë shtrenjtimi i ushqimeve. Sipas INSTAT, rritja vjetore e çmimeve në muajin Maj është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +3,58 pikë përqindje.
Dhe në një vend, ku familjet çojnë mbi 40% të shpenzimeve për t’u ushqyer, nga 13% që është mesatarja europiane, ndikimi në buxhetin e familjeve vijon të jetë është domethënës.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor