Presidenti i Republika Srpska Milorad Dodik mori një kosë dhe u shfaq në anë të rrugës në kryeqytetin rajonal Banja Luka të enjten, në një tallje ndaj partisë opozitare që drejton qytetin.
“Tashmë u kam bërë apel zyrtarëve përkatës që këtë hapësirë ta rregullojnë, të mbajnë të pastër dhe me peizazh tërheqës. Meqenëse besoj se ata po bëjnë pushim, vendosa t’i kosit vetë”, shkroi Dodik në Tëitter të enjten pasdite.
“Kjo është hera e fundit që unë do të bëj punën e tyre.”
Një video njëminutëshe të regjistruar nga një prej ndihmësve të tij ,tregoi udhëheqësin serb të Bosnjës me mëngët e këmishës të përveshura, duke mbajtur një kosë të modës së vjetër për të pastruar mesin e autostradës nga barërat e këqija që po përbënin një rrezik trafiku duke penguar dukshmërinë.
Teksa Dodik lëvizte kosën, shoferët e ngadalësuan shpejtësinë, i binin borisë në shenjë njohjeje dhe madje u ndalën për të parë presidentin që bënte punën e ekipeve lokale të mirëmbajtjes.
Marifeti me kosën ishte një tallje ndaj autoritetit lokal të Banja Lukës, të kryesuar nga kryebashkiaku 30-vjeçar Drasko Stanivukovic i Partisë së Progresit Demokratik. Dodik kryeson Unionin e Social-Demokratëve të Pavarur, i cili komandon shumicën në parlamentin Srpska.
Dodik aktualisht është në mandatin e tij të tretë si president i Republika Srpska, gjysma serbe e Bosnje-Hercegovinës.