Një punonjës i policisë kufitare në Dhërmi ka humbur jetën teksa gjatë patrullimit nuk ishte ndjerë mirë nga ana shëndetësore bëjnë me dije burimet zyrtare.
Policia thotë se efektivi ankoroi mjetin lundrues përballë stacionit të policisë në Dhërmi dhe doli në breg.
Ndërhyrja e urgjencës mjekësore nuk arriti që t’i shpëtonte jetën efektivit S.A 56-vjeç që paraprakisht dyshohet si shkak një arrest kardiak.
“Rreth orës 20:10, në Dhërmi, punonjësi i Policisë Kufitare i Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi, shtetasi S. A., 56 vjeç, drejtues i një mjeti lundrues të Policisë Kufitare, gjatë patrullimit në det, nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe për këtë shkak ka ankoruar mjetin lundures përballë stacionit të Policisë Kufitare në Dhërmi dhe ka dalë në breg.
Menjëherë është kërkuar ndihma e urgjencës mjekësore dhe pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme, punonjësi i Policisë, shtetasi S. A. humbi jetën.
Paraprakisht dyshohet se 56-vjeçari e ka humbur jetën për shkak të një arresti kardiak.
Grupi hetimor në bashkëpunim me ekipin mjekësor vijon punën për përcaktimin e saktë të shkakut të humbjes së jetës së 56-vjeçarit”-njofton policia.