Rregullatori financiar i Zvicrës po heton Thomas Gottstein, ish-shefin e Credit Suisse, për rolin e tij në shpërthimin e një grupi fondesh prej 10 miliardë dollarësh të lidhur me financierin e turpëruar Lex Greensill, sipas një raporti të botuar në SonntagsBlick.
Autoriteti Zviceran i Mbikëqyrjes së Tregut Financiar – ose Finma – nisi procedurat përmbarimore kundër katër ish-punonjësve të paidentifikuar të Credit Suisse, pasi arriti në përfundimin në shkurt se huadhënësi ‘ka shkelur seriozisht’ detyrimet e tij për menaxhimin e rrezikut në aferën e financimit të zinxhirit të furnizimit të Greensill Capital.
Gottstein është në mesin e zyrtarëve të Credit Suisse nën hetim, tha gazeta zvicerane të dielën, duke cituar njerëz të njohur me çështjen që nuk i identifikoi.
Zëdhënësit e Finma dhe UBS Group AG, e cila ka marrë përsipër Credit Suisse, kundërshtuan të komentojnë kur u kontaktuan nga Bloomberg. Gottstein nuk pranoi të komentojë mbi procedurat e Finma.
Pas kolapsit të Greensill, Credit Suisse porositi një hetim të jashtëm të kryer nga Deloitte dhe firma ligjore zvicerane Walder Wyss për dështimet rreth fondeve të Greensill. Raporti, i përfunduar në fund të vitit 2021, u nda me bordin e drejtorëve të bankës dhe Finma.
Por banka njoftoi në shkurt 2022 se nuk kishte në plan ta bënte publik raportin ‘në dritën e procesit të rimëkëmbjes në vazhdim dhe kompleksitetit ligjor të çështjes’. Credit Suisse, e cila u ble nga UBS këtë vit, ende po përpiqet të rikuperojë paratë e investitorëve dhe po lufton beteja të ndryshme ligjore në lidhje me këtë çështje.
Credit Suisse tha se veprimet ishin ndërmarrë kundër një numri individësh ku bordi e konsideroi të përshtatshme. Përafërsisht 10 punonjës u larguan nga banka si rezultat, ndërsa Gottstein u shkarkua, tha një person i njohur me këtë çështje.
Kompetenca të kufizuara
Kompetencat e Finma për të ndëshkuar bankat janë të kufizuara pasi ajo nuk mund të gjobisë institucionet që mbikëqyr. Sanksionet kundër individëve zakonisht çojnë në ndalime nga shërbimet financiare për një periudhë të caktuar, por rrallë për shumë kohë.
Shpërthimi i Greensill Capital në mars 2021 bëri që Credit Suisse të ngrijë dhe të mbyllë një grup fondesh prej 10 miliardë dollarësh që banka zvicerane i kishte tregtuar klientëve si investime të sigurta.
Para bashkimit të UBS, Finma kritikoi Credit Suisse për qasjen e saj të dobët ndaj menaxhimit të rrezikut dhe për konflikte të qarta interesi. Konkretisht, Credit Suisse bëri ‘deklarata pjesërisht të rreme dhe tepër pozitive’ për Finma në lidhje me procesin e përzgjedhjes së pretendimeve dhe ekspozimit të fondeve ndaj debitorëve të caktuar, tha rregullatori në shkurt.
Credit Suisse më parë tha se rreth 6.8 miliardë dollarë nga fondet e Greensill u janë kthyer investitorëve dhe muajin e kaluar banka ra dakord të paguajë 200 milionë dollarë shtesë për investitorët e fondeve të saj financiare të zinxhirit të furnizimit.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg
Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani