Vendosni fjalën kyçe....

Rusia sulmon Kievin, Zelenski bën apel për centralin bërthamor


Gjatë natës, Rusia nisi sulmin e saj të parë ajror drejt kryeqytetit të Ukrainës, Kievit, në dy javët e fundit, thanë zyrtarët më 2 korrik. Ky sulm vjen një ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se Rusia mund të përgatiste një sulm në termocentralin bërthamor të Zaporizhjas.

“Një tjetër sulm armik në Kiev”, shkroi Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të Kievit, në platformën Telegram. “Për momentin nuk ka informacione për viktima apo dëme potenciale”.

Sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në kryeqytetin ukrainas që prej rreth orës 2 të mëngjesit, raportoi agjencia e lajmeve Reuters. Më vonë u raportua se një civil ishte plagosur nga rënia e rrënojave të një droni në Kiev.

Forcat e mbrojtjes ajrore të Ukrainës thanë më 2 korrik se tetë dronë dhe tre raketa lundrimi të llojit Kalibr ishin lëshuar gjatë natës në Ukrainë.

“Të gjitha objektivat ajrore…u shkatërruan”, shkroi ushtria në Telegram.

Në raportin ditor të 2 korrikut, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës raportoi për 46 beteja mes forcave ukrainase dhe ruse gjatë 24 orëve të fundit.

Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur t’i konfirmojë pretendimet e palëve për zhvillimet në fushëbetejë, në zonat e luftimeve të rënda.

Luftimet më të ashpra u raportuan së u zhvilluan sërish në zonën e Lymanit, Bahmutit dhe Marjinkas, në rajonin e Donjeckut.

Gjatë një konference për media më 1 korrik me kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez, presidenti ukrainas, Zelensky, tha se ekzistonte “një rrezik serioz” se Rusia ishte e përgatitur të shkaktonte “një shpërthim lokal” në termocentralin bërthamor të Zaporizhjas.

Zelensky u takua me zyrtarë të sigurisë dhe të energjisë bërthamore më 1 korrik në termocentralin bërthamor Rivne për t’i diskutuar “problemet kryesore”, tha ai në fjalimin e tij të përnatshëm.

Ushtria e Ukrainës kishte pretenduar më herët se Rusia e kishte minuar uzinën e Zaporizhjas, që është centrali më i madh bërthamor në Evropë.

Më 30 qershor, Enerhoatom, autoriteti bërthamor i Ukrainës, përfundoi dy ditë stërvitje ku u simuluan efektet e një shpërthimi në uzinë, që është në kontroll të forcave ruse që nga fillimi i luftës në Ukrainë vitin e kaluar.