Forcat Mbrojtëse të Izraelit dhe shërbimi i sigurisë Shin Bet nisën një ofensivë në shkallë të gjerë herët në mëngjes të hënën, duke kërkuar ‘të pengojnë kërcënimin e terrorizmit’ në gjithë Bregun Perëndimor. Operacioni i përbashkët dyshohet se kishte në shënjestër një seli të militantëve në kampin e refugjatëve të qytetit Jenin.
IDF konfirmoi se goditi ‘infrastrukturën terroriste’ në qytet rreth orës 2 të mëngjesit, duke pretenduar se kampi i Jeninit ishte kthyer në një ‘fortesë terroriste’. Ushtria tha se bastisi një seli të përbashkët të grupeve të shumta të armatosura, e cila ‘shërbeu si pikë vëzhgimi, vend grumbullimi për terroristët e armatosur para dhe pas akteve terroriste, si depo për municione e bomba dhe qendër komunikimi’.
“Ne nuk do të qëndrojmë në gjumë teksa terroristët vazhdojnë të dëmtojnë civilët duke përdorur kampin Jenin si strehë”, shtoi ushtria izraelite në një deklaratë të shkurtër për shtyp.
“Ne po veprojmë për të çmontuar këtë fole grerëzash,” tha në një postim në Tëitter një zëdhënës ushtarak izraelit, nënkoloneli Richard Hecht, duke pretenduar se ‘vendet operacionale të përdorura nga terroristët’ janë ‘të vendosura pranë shkollave, një qendre mjekësore dhe shtëpive të civilëve’.
Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, të paktën një shtetas u vra dhe një tjetër u plagos rëndë gjatë bastisjes.
Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor gjatë Luftës Gjashtë Ditore të vitit 1967 dhe filloi të ndërtojë vendbanime të reja në territor. Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka deklaruar se këto veprime ‘nuk kanë vlefshmëri ligjore’ dhe se përbëjnë ‘një shkelje flagrante sipas ligjit ndërkombëtar’. Megjithatë, Izraeli e kundërshton këtë pozicion.